Mbi 20 mijë punëtorë nuk i kanë marrë ende mjetet prej 170 eurosh të parapara në Pakon emergjente fiskale për muajin mars.
Ndërkohë që për muajin prill ende nuk është paguar asnjë punëtor. Për kompensim të pagës kanë aplikuar mbi 196 mijë punëmarrës, raporton KOHA.
Për muajin mars deri tash janë kompensuar 175 mijë punëtorë.
Këto vonesa, sipas këshilltarit të ministres së Financave, Hykmete Bajrami, Lulëzim Krasniqi, kanë ndodhur shkaku i volumit të madh të punës në Komisionin e Verifikimit. Ai ka thënë se me rishikim të buxhetit, që pritet të bëhet gjatë kësaj jave apo në fillim të javës së ardhshme, do të ndahen mjete të mjaftueshme për zbatimin e Pakos në tërësi.
Me rishikim të buxhetit do të sigurohen mjetet e mjaftueshme në linjat e duhura buxhetore. Përgatitja e rishikimit besoj që do të bëhet këtë javë, më së largu deri në fillim të javës së ardhshme në Qeveri. Pakoja do të zbatohet në tërësi”, ka thënë Krasniqi.
Por sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, mjetet e Pakos emergjente janë zhvlerësuar shkaku i stërzgjatjes së zbatimit.
Ndërkohë, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve, Jusuf Azemi, ka thënë se nëse nuk bëhen pagesat për punëtorët, do të ketë edhe protesta.
Por, ish-ministri i Financave, Besnik Bislimi, ka thënë se vonesat në implementimin e Pakos kanë ndodhur shkaku që një pjesë i kanë pasur llogaritë gabim, dhe kanë marrë kohë për përmirësim.
Ai ka shtuar se një pjesë tjetër ka kërkuar kompensim të kompanisë edhe pse nuk i kanë kryer obligimet ndaj punëmarrësve.
“Një pjesë i kanë pasur llogaritë gabimisht dhe kanë marrë kohë për përmirësim (diku 8 mijë). Pjesa tjetër janë kompensim punëdhënësit dhe është dashur që të shikohen saktë, sepse ka pasur kompani që kanë kërkuar t’i derdhen mjetet kompanisë, edhe pse nuk i kanë kryer obligimet ndaj punëmarrësve. Dhe ka kompani për të cilat dihet se kanë operuar dhe nuk është dashur që të aplikojnë fare. Por, megjithatë, pjesa më e madhe i kanë marrë mjetet për muajin e parë dhe tash është dashur t’i marrin edhe për muajin e dytë”, ka thënë Bislimi.
Në mungesë të mjeteve financiare një pjesë e masave nga Pakoja emergjente fiskale e miratuar nga ish-Qeveria Kurti nuk janë implementuar.