Policia e Kosovës ka kërkuar nga të gjithë ngasësit e automjeteve në territorin e Kosovës që të kenë kujdes dhe t’i respektojnë shenjat e trafikut me përpikëri.
Derisa gjatë kohës së karantinimit numri i aksidenteve rrugore dukshëm shënoi rënie, me lirimin e masave padyshim që aksidentet rrugore filluan të shpeshtohen.
Me këtë shkak edhe policia ka bërë apel ndaj qytetarëve që të kenë kujdes derisa vozisin, përndryshe toleranca në këtë rast do të jetë 0.
“Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë qytetarët që gjatë qarkullimit me automjetet e tyre të jenë më vigjilent dhe shenjat e trafikut t’i respektojnë me përpikëri.
Përndryshe Policia e Kosovës vazhdon dhe do të vazhdojë ndërmarrjen e masave rigoroze ndaj të gjithë atyre që shkelin rregullat e trafikut rrugor dhe zero tolerancë do të aplikohet në këtë aspekt, me të vetmin qëllim sigurinë më të madhe në rrugët tona dhe shmangien e aksidenteve rrugore”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha për Metron./gazetametro/