Betim Haxhimusa është futbollisti i radhës që ka vazhduar kontratën me lideren e Superligës së Kosovës në futboll, Dritën. Me klubin nga Gjilani, sulmuesi Haxhimusa ka nënshkruar kontratë të re deri në vitin 2022, sikurse edhe dy futbollistët, kapiteni Ardian Limani dhe Ardian Cuculi. Por jo vetëm me tre futbollistët ish-kampionia e Kosovës e ka vazhduar kontratën. Për të paktën në dy vjetët e radhës i është besuar posti i trajnerit edhe Ardian Nuhiut.
Drejtori sportiv, Valon Zymberi, ka thënë se do të mundohen t’i bindin edhe futbollistët e tjerë. I gjithë ky mobilizim, sipas Zymberit, është lufta për titull këtë edicion e po ashtu edhe planet për të fituar trofe të tjerë në vitet e ardhshme.
“Kemi filluar me vazhdimin e kontratave dhe sigurisht që do të bisedojmë me të gjithë lojtarët që u skadon kontrata. Jemi të kënaqur me atë që kanë dhënë deri tash për klubin. Presidentët na kanë sjellë stabilitet financiar dhe kanë kërkuar nga ne që ta bëjmë punën tonë dhe të bëjmë ekipin serioz dhe konkurrent për trofe. Kjo është arritur falë dy udhëheqësve tanë, Valon Murseli dhe Flamur Bunjaku, që na kanë ofruar mundësitë dhe ne do të mundohemi t’i mbajmë lojtarët”, ka thënë Zymberi.
Por Zymberi insiston se Drita do të sjellë edhe lojtarë të rinj pas përfundimit të këtij edicioni, për t’u përforcuar edhe më shumë.
“Do të ketë edhe prurje të reja për të bërë një ekip konkurrues edhe për vitet e tjera. Por për momentin fokusin e kemi te lojtarët që i kemi dhe do të vazhdojmë te negociojmë me ata, dhe pasi ta përmbyllim këtë proces do të mendojmë për ardhjet e reja”, është shprehur Zymberi