Komuna e Gjilanit, nën përkujdesjen e kryetarit të Lutfi Haziri, ka nisur realizimit të kalendarit të festës së çlirimit të Gjilanit dhe Kosovës, i cili në vete përfshinë një mori aktivitetesh që kanë nisur nga dje me 11 qershor dhe do të vazhdojnë deri të hënën me 15 qershor, me qëllim të nderimit, respektit dhe sakrificës për vuajtjet dhe gjakun e derdhur të shumë qytetarëve në luftën për liri.
Në paraqitjen e kalenderit të aktiviteteve, drejtoresha e Kulturës, Deniza Limani, ka konfirmuar se më 25 qershor do të bëhet inaugurimi i shtatores së Abdullah Tahirit, të cilit i kushtohen të gjitha aktivitetet kulturore jetës dhe veprës heroike të tij.
“Nga dita e djeshme aktivitetet në shënim të lirisë së Gjilanit, kanë nisur me ndarjen e çmimit “Beqir Musliu”, sot është mbledhja solemne e bordit të drejtorëve për të koordinuar edhe më tutje të gjitha aktivitetet. Në ditën e nesërme është aktiviteti i mbjelljes së luleve në kujtim të 21 vjetorit të lirisë. Më 14 qershor është e paraparë ceremonia e ndarjes së çmimit “Beqir Musliu”, për të vazhduar me videon online të fëmijëve të lindur në vitin 2008, i cili njihet si shtegu i lirisë”, ka thënë në prezantimin e saj drejtoresha Limani.
Ajo ka njoftuar se më 15 qershor kur edhe është manifestimi qendror aktivitetet janë edhe më të shumta.
“Të hënën më 15 qershor fillojnë aktivitetet me homazhe në varrezat e dëshmorëve, për të vijuar aktivitetet me ndarjen e çmimeve “Agim Ramadani”, “Idriz Seferi”, “Hanumshahe Abdullahu”. Njëkohësisht në programin kulturor do të kemi për qytetarët gjilanas edhe shfaqjet teatrale online për tri ditë me radhë. Gjithashtu, këtu janë të parapara edhe ndarja e mirënjohjeve në fushën e kulturës, rinisë, sportit, artit, muzikë, letërsi, art vizuel për të cilën është duke punuar komisioni profesional”, ka thënë ajo.
Një aktivitet tjetër i rëndësishëm është ai i organizuar nga teatri i Gjilanit me motive kombëtare nën slloganin “T’fala nga Gjilani” që, gjithashtu, mund ta përcillni nga shtëpitë tuaja sepse shumica dërmuese e aktiviteteve janë në platformën online, për shkak të përballjes me pandeminë globale.