Qeveria Hoti, që në ditën e tretë të ekzistencës së saj, me vendimin për heqjen e reciprocitetit karshi Serbisë, në fakt hoqi dorë nga Republika.
Nga kjo Qeveri e kontrabanduar, dhe pa përkrahjen e qytetarëve edhe nuk mund të pritej ndonjë veprim i dobishëm për vendin, sepse partitë që përbëjnë këtë koalicion qeveritar, pothuajse përherë e kanë dëshmuar të kundërtën. Janë po këta politikanë që në bisedimet e Vjenës në vitin 2006 dhe atyre të Brukselit në vitet 2013 – 2018 pranua nga Serbia kërkesa shumë të dëmshme për vendin siç ishin:
– Decentralizimi në baza etnike,
– Formimi i komunave artificiale, me nga 2 – 3 mijë banorë, me shumicë serbe, si komuna e fshatit Partesh, komuna e fshatit Ranilluk, komuna e fshatit Kllokot etj.
– Vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës, përtej përfaqësimit proporcional, të pakicës serbe, që nuk e pranon pavarësinë e Kosovës.
– Vende të garantuara për ministra serbë në Qeverinë e Kosovës.
– Shumicë e dyfishtë (veto) e garantuar për përfaqësues të pakicave në Kuvendin e Kosovës, që në shumë raste e bllokon punën e Kuvendit të Kosovës, shembull ky që nuk mund ta gjesh në asnjë vend të botës.
Të njëjtit politikanë, pranuan formimin e asociacionit të komunave serbe me kompetenca ekzekutive.
Janë po të njëjtit politikanë, që ia falën 8 200 hektar tokë të Kosovës, Malit të Zi, kinse në këmbim të liberalizimit të vizave e që kurrë nuk i morëm qytetarët e Kosovës.
Këta politikanë, e futën në Kushtetutën e Kosovës, Gjykatën një etnike (raciste) për krime të luftës së UÇK-së.
Po këta politikanë, në krye me presidentin e vendit, Hashim Thaçin, atëherë kryeministër i Kosovës, pranuan të negociojnë me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës. Gjatë këtyre negociatave përveç tjerash pranuan që Republikën ta zëvendësojnë me fusnotë.
Pranuan eksterritorialitet për kishat ortodokse.
Në këto negociata pa parime e pa reciprocitet përfaqësuesit e Kosovës pranuan që shkollat me mësim në gjuhën serbe në Kosovë t’i përdorin tekste shkollore të Serbisë, në të cilat Kosova prezantohet si pjesë përbërëse e Serbisë, UÇK-ja si kriminele, kurse shqiptarët armiq të serbëve.
Të njëjtit i futën në institucionet e Kosovës, “Rojet e Urës”, struktura këto të organizuara nga Serbia që ta ndihmojnë ndarjen e veriut të Kosovës.
Një pjesë e këtyre politikanëve, të korruptuar, në krye me presidentin e vendit, pranuan dhe po angazhohen, madje edhe paguan kopani për lobim, që t’i bindin edhe qytetarët e Kosovës të pajtohen me ndarjen e Kosovës.
Këto dhe shumë lëshime të tjera, të pashembullta në historinë e shteteve të botës, e kanë dobësuar shumë subjektivitetin e Shtetit të Kosovës.
Krahas dobësive të lartpërmendura në raport me Serbinë, politikanët e njëjtë e kanë dëmtuan shumë edhe ekonominë e vendit.
Zhvatje e pa shembullt e buxhetit, korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi, bënë që Kosova të mos ofrojë jetë normale për qytetarët e saj, ku ata me të ardhurat nga puna e tyre do t’i plotësonin nevojat e tyre dhe të familjeve të tyre.
Kjo Qeveri që i bëri bashkë partitë, liderët e të cilave u ndien të rrezikuar nga masat që filluan të ndërmerren kundër keqpërdoruesve të pushtetit e sidomos të buxhetit, nga Qeveria Kurti, e filloj qeverisjen me heqje të reciprocitetitr. Modeli i qeverisjes së kësaj kaste servile e të korruptuar është i njohur për qytetarët e Kosovës.
Kjo Qeveri që hoqi dorë nga reciprociteti, do të thotë nga barazia e Kosovës karshi Serbisë nuk ka si të arrijë marrëveshje të drejtë në mes të dy palëve negociuese.
Partitë e koalicionit qeverisës që e nëpërkëmbën vullnetin e qytetarëve dhe e penguan ndryshimin, nuk do të mund ta qeverisin vendin, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve.
Prandaj kjo Qeveri e kontrabanduar nuk do të ketë jetë të gjatë. sepse kundër kësaj Qeverie po bëhen bashkë qytetarët e Kosovës, që e donë Republikën në kufijtë e saj ekzistuese, të zhvilluar në të gjitha fushat.
Në këtë situatë zgjedhjet e reja janë e vetmja zgjidhje, ato do të organizohen, deshën apo nuk deshën uzurpatorët e institucioneve.
Ismajl Kurteshi, qershor, 2020.