Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka pritur në takim sot delegacionin e përbërë nga përfaqësuesit e gastronomisë, estradës dhe bizneseve tjera që lidhen me organizimin e dasmave.
Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare, Zemaj ka thënë se është kundër çdo zgjidhje selektive për bizneset dhe se s’do të ketë rikthim të gjendjes së mëparshme.
Tutje ai ka thënë se është i gatshëm që 24 orë ta mbajë derën e hapur për përfaqësuesit e bizneseve të sallave të dasmave që ata të shohin angazhimet maksimale që po bën Ministria në luftën kundër COVID-19.
Ky është postimi i tij i plotë:
Sot deklarova se nëse do të respektohet “Manuali për mbrojtje nga përhapja e virusit covid-19” sërish ditëve në vijim do t’i takoj përfaqësuesit e sallave të dasmave për të diskutuar kërkesat e tyre dhe së bashku të ndërmarrim hapat e mëtutjeshëm, gjithnjë sipas rekomandimeve të IKSHPK.
Në zyrën time e prita grupin protestuesve që kishin dalë të protestonin në sheshin “Nënë Tereza” përballë qeverisë së Kosovës, ku i takova e pastaj i ftova për vizitë zyrën time.
Këtë grup të protestuesve e përbënin këngëtarët, Afrim Muçiqi e Labinot Tahiri – Labi, përfaqësuesit e bizneseve të sallave të dasmave, gastronomisë, dekoreve dhe të bizneseve që lidhen me organizimin e dasmave.
Deklarova se jam kundër çdo zgjidhje selektive për bizneset dhe se s’do të ketë rikthim të gjendjes së mëparshme. Sikurse jam i gatshëm që 24 orë në ditë të mbajë derën e hapur për përfaqësuesit e bizneseve të sallave të dasmave, që këta të shohin angazhimet maksimale që po bën ministria në luftën kundër covid-19.