Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajcak, ka thënë se në Prishtinë ka ardhur me data të sakta rreth rinisjes së negociatave. Por ka thënë se nuk do t’i bëjë publike meqë duhet koordinuar me liderët e institucioneve të Kosovës. Ndërkohë emisari amerikan për dialogun, Richard Grenell ka thënë se më 27 qershor palët do të takohen në Washington.
“I kam datat, por nuk mund t’i bëjë publike tani sepse duhet të koordinohem me partnerët dhe se nuk kemi kohë për të humbur”, ka thënë Lajçak para gazetarëve.
Se Lajçak ka ardhur në Kosovë me data konkrete dhe për të caktuar modalitetet e dialogut ka thënë edhe Peter Stano, zëdhënës i BE-së.
“Ne i mirëpresim të gjitha iniciativat në përkrahje të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, pritet të jetë në Prishtinë këtë pasdite për të diskutuar modalitetet e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Përfaqësuesi Special i BE-së ka për qëllim të prezantojë datat konkrete për rikthim të shpejtë”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Lajçak po ashtu ka deklaruar se dialogu në Bruksel është i rëndësishëm ngase e ardhmja e Kosovës është në BE.
Diplomati sllovak ka shtuar se është në dijeni për takimin Kosovë – Serbi në Washington, më 27 qershor, porse sipas tij, më e rëndësishme për të, është fillimi i dialogut, ngase e ardhmja e Kosovës është evropiane.
Lajçak gjatë ditës së sotme pritet të takohet me presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentaren Vjosa Osmani dhe kryeministrin Avdullah Hoti.