Në një koferencë të mbajtur për media anëtari i PDK-së, njëherësh mjeku Ilir Kurtishi, ka kritikuar qeverinë Hoti, duke thënë se po vazhdon me gabimet e njëjta të qeverisë “Kurti”, në menaxhimin e pandemisë me COVID-19.
“Që në fillim të pandemisë në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës ka dhënë ide dhe ka propozuar masa për përballimin e kësaj sfide të madhe nacionale të shëndetit publik. Kemi tërhequr vërejtjen në vazhdimësi për vonesat dhe gabimet e bëra nga Qeveria e kaluar Kurti lidhur me testimet dhe masat e domosdoshme që duhej ndërmarrë.Po ashtu, është brengosëse mungesa e fokusit që Qeveria Hoti ka ndaj pandemisë, në aspektin shëndetësor dhe ekonomik. Rekomandimet tona për rritjen e testimeve u injoruan.Këto rekomandime ishin në përputhje me ato të OBSH-së, praktikave më të mira ndërkombëtare dhe objektivë e të gjitha qeverive në Rajon dhe Evropë”, tha ai.
Mw tutje anwtari i PDK-sw, ka përmendur edhe tubimin e mbajtur nga Lëvizja Vetëvendosje, pas të cilit thotë se u tregua shqetësimi i madh i tyre për shëndetin e qytetarëve.
“Kulmi i papërgjegjësisë përballë pandemisë u demonstrua me organizimin e një tubimi e koncerti nga Vetëvendosje, në sheshin e Prishtinës, ku u përfshinë edhe ish krerët dhe zyrtarët e lartë të qeverisë, dhjetë ditë pasi u larguan nga pushteti. Sa ishin vetë në Qeveri, ftonin për kujdes dhe distancë sociale. Kur dolën prej saj, nuk u mërzitën për shëndetin dhe jetën e qytetarëve”, u shpreh më tutje Kurtishi.
Një qasje të njëjtë në lidhje me përballjen me pandeminë, Kurtishi thotë se e ka edhe qeveria Hoti.
“Me keqardhje po vëmë re se edhe Qeveria aktuale po përdor të njëjtën qasje që kemi dëgjuar para tre muajve, e që në realitet maskon paaftësinë në luftën kundër Covid-19”, deklaroi më tutje ai.
Në të njëjtën konferencë, Kurtishi ka bërë thirrje drejt qeverisë Hoti, për të mos vazhduar të njëjtat gabime.
“Prandaj, i bëjmë thirrje Qeverisë aktuale që të mos i përsërisë gabimet e Qeverisë së kaluar, por të angazhohet sa më shpejt dhe me seriozitetin maksimal për ta ndalur përhapjen e rritjes rapide të Coronavirusit.
Po ashtu, apelojmë te qytetarët, të cilët kanë treguar një durim dhe kujdes shembullor, që të mos ulin kujdesin dhe vëmendjen”, përfundoi ai.