Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se shtetet “duhet të jenë të përgatitura për mundësinë e rikthimit” të koronavirusit të ri, teksa Evropa vazhdon të rihapet dhe Kina përballet me shpërthim të ri, që ka nxitur mbylljen e disa pjesëve të Pekinit.
Teksa numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus arrin në 8 milionë, dhe numri i të vdekurve në 436,000, Ghebreyesus ka theksuar se janë dashur dy muaj për të regjistruar 100,000 raste të prekura me këtë virus – që tani përbën shifër ditore të infektimit – dhe se virusi është duke u përhapur me shpejtësi në Azi dhe territorin amerikan.
Paralajmërimet për marrje të masave, me qëllim të luftimit të këtij virusi, kanë ardhur pasi Kina ka rritur numrin e testimeve dhe ka izoluar disa pjesë të kryeqytetit të saj, me qëllim të kontrollimit të shpërthimit të ri, pas shqetësimeve se kjo mund të jetë vala e dytë e sëmundjes, Covid-19, që shkakton ky virus.
Në Kosovë vetëm mbrëmë janë regjistruar edhe 129 raste të reja me Covid-19 – duke qenë kjo shifra më e lartë prej kur janë lajmëruar dy rastet e para.