Komiteti për menaxhimin e gjendjes së pandemisë në Gjilan, ka mbajtur sonte vonë mbledhje të jashtëzakonshme, ku është vlerësuar gjendja e pandemisë në këtë komunë, ku sot rezultuan 9 raste të reja me Covid.
Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës, në një konferencë të jashtëzakonshme, pas këtij takimi të Komitetit, ka thënë se nga 30 mostra të marra dhe për analizë, 9 raste kanë rezultuara pozitive dhe bëhet fjalë për raste kontakti.
Ndërkaq sot janë dërguar për testim edhe 60 mostra dhe rezultatet i presim nesër nga IKSHP.
Burimet janë të njëjta, janë burime të vjetra dhe të njohura për ne dhe kemi filluar t`i marrin listat e kontakteve prej familjarëve që kanë pasur kontakt me këta 9 persona.
Ismajli ka sqaruar se asnjëri prej këtyre rasteve nuk ka të bëjë me gastronominë dhe ka kërkuar të mos bëhet propagandë në këtë drejtim, sepse sot kemi pasur shumë thirrje nga qytetarët, të cilët kanë pyetur nëse këto raste vijnë nga restorantet dhe kafiteritë e qytetit.
Ndërkaq, doktorët Ajhane Sefiu, Ukshin Ismajli e Berisha kanë bërë apel te qytetarët për përdorimin e maskave, dorëzave dhe mbajtjen e distancës fizike, si masa më të sigurta për mbrojtje nga virusi.
Përndryshe, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, sot gjatë ditës, kas takimit me Shtabin për menaxhimin dhe parandalimin e virusit Covid-19, ka paraqitur masat të cilat janë ndërmarrë me qëllim rritjes së efikasitetit në kontrollin e situatës si dhe ka bërë publike pakon e re të masave, që duhet të respektohen nga qytetarët, zyrtarët e shtetit në të gjithë sektorët, punëtorët dhe bizneset, institucionet fetare, organizimet shoqërore etj., për parandalimin e virusit dhe gjendja të jetë e menaxhueshme.