Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka mbledhur Kryesinë Qendrore të PDK-së në qytetin e Skenderajt për nder të Ditës së Çlirimit të vendlindjes së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, nga ku shpalosi vizionin e ri të partisë për të tashmen dhe të ardhmen e vendit.
Lideri i PDK-së tha se në kohë globale pandemie partitë që mashtruan qytetarët në zgjedhjet e fundit i harruan qytetarët dhe ndërmarrësit dhe u morën me tekat dhe interesat e tyre personale për pushtet.
“Disa parti po mundohen me fjalë, urrejtje, mospunë dhe mashtrime të pushtojnë mendjet e qytetarëve. E kanë bërë ideal, kauzë për të fituar për vete, luftën brenda shqiptarëve, mu në kohën e një ballafaqimi jo të lehtë në përmbylljen e pakompromis të shtetësisë sonë me Serbinë dhe anëtarësimin në OKB: Kjo nuk është duke u bërë pa qëllim, kjo nuk e ndihmon Kosovën përballë Serbisë, kjo e rrezikon Kosovën”, tha Veseli.
Ai tha se qytetarët po i kuptojnë këto kurthe të partive që i mashtruan dhe po i demaskojnë çdo ditë ato.
“Nuk ka kompromis me mashtrues, nuk ka besim në ata që nuk mbajnë asnjë fjalë dhe i ndryshojnë në bazë të interesit dhe zorit. Kjo është arsyeja që qeveritë e mashtrimit po bien njëra pas tjetrës dhe as që do të mundë të qëndrojnë. Qytetari ynë është shumë i mençur dhe i dallon këto kurthe! Duhet punë, vizion, guxim, vendosmëri dhe përgjegjësi për të çuar përpara amanetin e tribunëve të kombit tonë. Si PDK jemi të përkushtuar për të sotmen dhe të ardhmen dhe vetëm për të. Por edhe mund të flasim për secilën punë dhe ngjarje, edhe të së djeshmes”, tha ndër të tjera Veseli.