Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka raportuar për menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19 në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
Zemaj ka folur edhe për rivlerësimin e fazës së tretë, kur është paraparë të hapen disa veprimtari të tjera gjatë kësaj faze dhe për të cilat tha se pret nga ministritë dhe agjencitë përkatëse që të ofrojnë dëshmi për mënyrën sesi këto veprimtari mund të funksionojnë.
“Kam zhvilluar takime të shumta edhe me përfaqësuesit e bizneseve në kuadër të një dialogu, që na mundëson të gjitha palëve t’i shprehim qëndrimet dhe argumentet tona para se t’i marrim disa vendime për disa veprimtari, të cilat janë në rivlerësim, si: aeroportet, ahengjet, banjat, panairet, pishinat, klubet e natës e të tjera dhe për këto veprimtari na duhen vendime të kujdesshme dhe në këtë aspekt unë kam kërkuar nga ministritë dhe agjencitë përkatëse që të na ofrojnë dëshmi për mënyrën sesi mund të funksionojnë ato, si dhe të merren me organizimin e tyre në mënyrë specifike kur të ketë një vendim për to”, tha ai.