Pandemia e virusit korona është në një “fazë të re e rrezikshme”, thanë sot zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetit, pasi virusi vazhdon të përhapet në masa të mëdha në kohën kur shumica e vendeve po lehtësojnë masat.
E enjtja solli 150,000 raste të reja me virusin që po shkakton sëmundjen Covid-19, shifër kjo më e larta që prej fillimit të pandemisë, sipas OBSH-së.
“Bota është në një fazë të re dhe të rrezikshme,” tha shefi i organit të Kombeve të Bashkuara, Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë virtuale në Gjenevë.
“Virusi ende po përhapet shpejt, ai është akoma vdekjeprurës dhe shumica e njerëzve janë akoma të ndjeshëm ndaj tij”, shtoi tutje Ghebreyesus.
Kreu i organizatës ndërkombëtare bëri thirrje për mbajtje të distancës sociale dhe vigjilencë të lartë.
Përgjatë ditës së djeshme, Dr Hans Kluge, drejtori rajonal evropian deklaroi se përgjatë vjeshtës mund të shpërthejë vala e dytë e koronavirusit.