Bartësi i listës së Alternativës Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar, Shaip Kamberi, pret që shqiptarët e Luginës së Preshevës do të marrin të paktën dy mandate në zgjedhjet e sotme për Kuvendin e Serbisë.
Kamberi që i prin listës së bashkuar të partive shqiptare, pas mbylljes së vendvotimeve ka treguar për Reporterin pritjet e tij.
“Ne si listë një deputet në nivel qendror e kemi të sigurt, por po presim të fitojmë dy deputetë. Por se a do ta fitojmë edhe deputetin e dytë kjo varet nga përqindja e daljes së qytetarëve në zgjedhje”, tha ai për Reporteri.net.
Kurse Kamberi tha se në nivel lokal Partia për Veprim Demokratik do të jetë listë e parë në zgjedhje, por nuk pret që ta fitojnë shumicën çka thotë se do t’i duhet të ndërtojnë marrëveshje koalicioni.
Ai pret që Driton Rexhepi të zgjedhet kryetar i ri i Komunës së Bujanocit.
Kujtojmë se zgjedhjet serbe janë lejuar të mbahen edhe në Kosovë në komunat ku ka qytetarë të këtij komuniteti.
Deri në ora 18:00 në të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë kanë dalë 51,011 votues ose 53, 51 përqind.
Zgjedhjet parlamentare të Serbisë ishin paraparë të mbahen në muajin prill, por që u shtynë për shkak të situatës me pandeminë. /Reporteri.net/.