Infektologu Valbon Krasniqi thotë se gjendja në Klinikën Infektive është rënduar me shtimin e rasteve të reja me Covid-19 në vend.
“Gjendja në Klinikën Infektive është rënduar shumë këto dy javët e fundit me rritjen e numrit të rasteve të reja të infektuara në nivel të vendit është shtuar edhe numri i pacientëve të shtruar të cilët kanë kërkuar tretman spitalor”, thotë Krasniqi.
Ai shpjegon se pesë pacientë janë në gjendje kritike.
“Sot gjatë ditës kemi pasur 90 pacientë të shtrirë në Klinikën Infektive të konfirmuar me Covid-19 dhe numri mund të ketë shkuar edhe më shumë pas publikimit të rezultateve që i patëm në mbrëmje pasi një numër i tyre ka qenë në klinikë. Mbi 40 pacientë janë në oksigjenoterapi ndërkohë që reparti intensiv pothuajse është i mbushur me kapacitete të plota. Kemi gjashtë pacientë në Intensivë, pesë prej të cilëve janë në gjendje kritike”, tha ai.
Krasniqi thotë se në mënyrë rigoroze duhet të kontrollohet lëvizja e të infektuarve dhe familjarëve të tyre.
“Duhet në mënyrë rigoroze të kontrollohet lëvizja e personave Covid-19 pozitiv.Duhet të monitorohet dhe kontrollohet lëvizja e tyre. Nuk jemi për t’i mbyllur qytetarët por familjarët e të prekurve nuk duhet lejuar të lëvizin lirshëm’, tha Krasniqi.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars dhe deri më tani, janë regjistruar 2.216 raste me Covid-19, prej të cilëve 1069 janë shëruar ndërsa 38 kanë vdekur.