Është duke u zhvilluar seanca plenare në Kuvendin e Kosovës, ku në rend të ditës është ratifikimi i pesë marrëveshjeve ndërkombëtare.
Kryeministri Avdullah Hoti ka kërkuar nga deputetët që të votojnë për miratimin e tyre.
Sot po shqyrtojmë disa marrëveshje të qeverive të mëhershme, jo të Qeverisë së tanishme. Për sqarim, për marrëveshjet ndërkombëtare sa kemi qenë në opozitë ne kemi kërkuar vetë seancë të jashtëzakonshme. Është veprimi juaj politik se si veproni, por e vërteta është kjo, sepse ne si opozitë kishim kërkuar seancë për t’i votuar marrëveshjet ndërkombëtare. Ju kërkoj që t’i merrni parasysh këto, sepse këto marrëveshje mundësojnë realizimin në praktikë të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike”, tha Hoti gjatë kësaj seance.
Kryeministri shtoi se do të kërkojë që buxheti të futet në procedurën e votimit në seancën tjetër, ku kërkoi nga deputetët që ta përkrahin edhe këtë mocion.
“Po ju njoftoj se buxhetin për vitin 2020 e keni pranuar në Kuvend, ne do të kërkojmë që të futet në procedura parlamentare pas një ore. Ju ftoj që ta përkrahni këtë mocion, që buxheti të futet në rend të ditës, ku është paraparë fondi për rimëkëmbje ekonomike”, potencoi Hoti.