Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj me bashkëpunëtorë qëndroi sot në Komunën e Gjilanit, ku vizitoi Qendrën Operative të Emergjencës në këtë qytet, Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit si dhe Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik.
Ministri Zemaj tha se arsyeja e vizitës është të falënderoj strukturat e pushtetit në Gjilan dhe profesionistët shëndetësor për përkushtimin e shprehur për ballafaqim me pandeminë Covid-19 dhe të shpreh edhe përkushtimin e Ministrisë së Shëndetësisë për të fuqizuar kapacitetet diagnostike dhe të trajtimit spitalor të institucioneve të kujdesit shëndetësor në këtë komunë.
Gjatë vizitës në Qendrën Operative të Emergjencës në Gjilan ai është njoftuar nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe drejtuesit e Qendrës më aktivitetet që ata kanë zhvilluar për menaxhimin e Covid-19 si dhe koordinimin e strukturave komunale në funksion të ruajtjes së shëndetit publik të popullatës.
Kryetari Haziri tha se angazhimi ka qenë i madh dhe në funksion të menaxhimit sa më të mirë të situatës janë duke bërë përgatitje që të menaxhojnë edhe ardhjen e mërgimtarëve pas vendimit për lirimin e masave, që në këtë komunë janë në numër mjaft të madh.
Ministri Zemaj, gjatë vizitës në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit kërkoi që Reparti i sëmundjeve infektive të jetë në funksion të trajtimit të pacientëve me Covid-19 nga Rajoni i Anamoravës, për ta shkarkuar kështu edhe QKUK-në dhe klinikën Infektive, ndërkohë që nga drejtori i Spitalit, Nisret Hajrullahu është njoftuar me kapacitetet aktuale të këtij spitali dhe gatishmërinë që pacientët me Covid-19 të cilët mund të menaxhohen në nivel të kujdesit dytësor shëndetësor të trajtohen aty.
Kurse, gjatë vizitës në Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik, Ministri Zemaj tha se është i rëndësishëm fuqizimi i kapaciteteve të QRSHP, jo vetëm për të marrë mostrat e të dyshuarve në Covid-19, por edhe për të siguruar pajisjet që edhe ky institucion, të nis me testime për Covid-19.
“Në këtë aspekt, si Ministri kemi ndërmarrë dy veprime: E para-përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare nga huamarrja për Bankën Botërore kemi paraparë sigurimin e aparaturës për PCR edhe për Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik, që të mund të decentralizohen testimet; dhe dyta-përmes rekrutimit të 200 profesionistëve shëndetësor kemi paraparë fuqizimin edhe të kapaciteteve nga lëmit si mikrobiologjia…, me qëllim që t’i japim më tepër mundësi procesit të zgjerimit të testimeve në popullatë dhe krahas testimeve virologjike, duhet të përgatitemi edhe për testime serologjike dhe kjo nënkupton edhe rritjen dhe përgatitjen e kapaciteteve”, tha Ministri Zemaj.
Drejtoresha e QRSHP, Ajhane Sefiu ka njoftuar ministrin me punën që bëhet në këtë qendër.
Bashkë me Ministrin në këto vizita kanë qenë edhe drejtori i IKSHPK-së Naser Ramadani dhe drejtori i SHSKUK-së Basri Sejdiu, ndërkohë që Emergjencës së SP të Gjilanit i është dorëzuar një auto-ambulancë e re, donacion nga asistenca e BE- për Kosovën për përgjigje ndaj Covid-19.