Klubi më i trofeshëm i futbollit, Prishtina, doli shpejt me një njoftim të martën mbrëma, se ndeshjen e saj kundër kampionit në fuqi të Kosovës, Feronikelit, mund ta zhvillojnë me praninë e shikuesve në tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri”.
Reagimi i tyre erdhi pak minuta pasi Qeveria e Kosovës shfuqizoi vendimin që obligonte zhvillimin e aktiviteteve sportive pa praninë e publikut. Në fakt, të martën në mbrëmje Ekzekutivi e ka votuar propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili do të hyjë në fuqi që nga 28 qershori. Sipas Zemajt, ky vendim ka ardhur pas rekomandimeve që ka marrë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, shkruan Koha.net
Që nga lejimi i aktiviteteve sportive ndeshjet janë luajtur pa praninë e shikuesve, kurse nga e diela e 28 qershorit, nuk do nuk do të ketë më ndalesa nga organet shtetërore dhe u mbetet federatave përkatëse që të vendosin lidhur me këtë çështje. Por në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) hapjen e stadiumeve për shikues e shohin të rrezikshme.
Në fakt, prejse kanë rifilluar garat në elitën e futbollit kosovar, shumica e klubeve dhe tifogrupeve vazhdimisht kanë kërkuar që të hapen dyert e stadiumeve. Garat e futbollit në Kosovë u patën pezulluar më 13 mars kur u mor vendim për ndalimin e të gjitha aktiviteteve sportive pas rasteve të para të prekura me pandeminë COVID-19. Futbolli ishte sporti i parë që iu rikthye aktivitetit në fillim të këtij muaji, me skuadrat që rifilluan me stërvitje grupore në maj.
Te Drita pranojnë se janë të penalizuar për shkak se nuk e kanë përkrahjen e fuqishme të “Intelektualëve”, por insistojnë se do të respektojnë çdo vendim që del nga FFK-ja. Drejtori sportiv, Valon Zymberi, thotë se kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë, por tani fjalën kryesore në lidhje me këtë çështje do ta ketë Federata që edhe është përgjegjëse për mbajtjen e garave. Dhe, uron që tifozëve t’u lejohet prania në stadium.
“Ne si klub kemi qenë të penalizuar nga kjo pandemi në shumë aspekte, e sidomos në aspektin e mungesës së tifozëve tanë në tribuna, të cilët na kanë mbështetur në çdo ndeshje. Ne si klub e mirëpresim rikthimin e tifozëve sepse për ne ata janë lojtari ynë i 12-të. Faktikisht, ne luajmë për tifozët”, ka thënë Zymberi.
“Ndërsa sa i përket vendimit nëse do të lejohen apo jo, atëherë kjo varet nga FFK-ja, sepse edhe në disa shtete të tjera Federata ka vendosur për lejimin e tifozëve kurse qeveritë jo. Ne do ta respektojmë çdo vendim, por uroj që të lejohen që tifozët të na mbështesin”.