Zemaj dhe Sejdiu kërkojnë nga spitalet rajonale trajtimin e pacientëve me Covid
Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj dhe drejtori i SHSKUK-së Basri Sejdiu, kanë kërkuar nga spitalet rajonale që të trajtojnë pacientët me Covid, në mënyrë që të mos mbingarkohet Klinika Infektive në QKUK.
Kjo kërkesë është bërë e ditur gjatë ditës së djeshme gjatë një vizite në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit. Zemaj kërkoi që Reparti i sëmundjeve infektive të jetë në funksion të trajtimit të pacientëve me Covid-19 nga Rajoni i Anamoravës, për ta shkarkuar kështu edhe QKUK-në dhe klinikën Infektive.
Edhe drejtori i SHSKUK-së ka deklaruar se spitalet rajonale duhet të trajtojnë pacientët me Covid. “Gjatë vizitës, vura theksin në rëndësinë e trajtimit të pacientëve të dyshuar me Covid-19, me qëllim që QKUK me klinikat e saja të mos mbingarkohet. Nga drejtori i spitalit kërkova që pacientët e rajonit të Gjilanit të trajtohen në këtë spital”, ka deklaruar Sejdiu.
Drejtori i Spitalit, Nisret Hajrullahu ka deklaruar se ky institucion ka kapacitete dhe gatishmërinë që pacientët me Covid-19 të cilët mund të menaxhohen në nivel të kujdesit dytësor shëndetësor të trajtohen aty.
Në Klinikën Infektive në QKUK ditët e fundit ka pasur fluks të shtuar të pacientëve me Covid-19. Aktualisht në këtë klinikë po trajtohen rreth 100 pacientë të infektuar, ndërsa pacientët e dyshuar po trajtohen në Klinikën e Pulmologjisë dhe Klinikën e Dermatologjisë. /Gazeta Shneta/