Më në fund pas 20 vjetësh heroi Abdullah Tahiri u kthye i skalitur në bronz, sikur do të shpërfaqet me një parandjenjë në momentin kur shigjeta helmuese indirekt drejtohen kundër vlerave që ky popull ka brumosur në bijtë më të mirë të vet të UÇK-ës, jo pak prej tyre janë dëshmorë e heronj si edhe Abdullah Tahiri.
Populli i ka në zemër, i ka në zemër toka e Atdheut, janë kudo të skalitur në emra institucionesh, emra shkollash, emra rrugësh e sheshesh. Prandaj vlerat e veta populli i njeh, i do e i mbronë, për aq sa mundet dhe nuk ka nevojë me ia përsërit, por është detyrë e institucioneve që këtë vlerësim ta përcjellin e ta shpërfaqin përtej kufijve të shtetit tonë dhe si i tillë të pranohet. Nëse kjo s’është arritur të bëhet mjaftueshëm dhe me kohë e gradualisht, duhet mobilizim në zmbrapsjen e sulmeve shigjetuese me prapavijë damkuese, qëllimkeqe e denigruese.
Ky popull nuk e meriton këtë dhe nëse ka ndonjë konsenzus në këtë vend, (përkundër pikëpamjeve të ndryshme politike), ai është padyshim në vlerat e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të shndërruara në liri e rrjedhimisht në shtetësi të Kosovës.