Derisa vendi po vazhdon përballjen me pandeminë COVID-19, numri i personave të infektuar po rritet.
Përveç qytetarëve të shumtë që janë infektuar, të shumtë janë edhe punëtorë të institucioneve të ndryshme në vendin tonë.
Në mesin e tyre, numër i konsiderueshëm i të infektuarve është edhe te pjestarët e Policisë së Kosovës.
Aktualisht në Kosovë janë gjithsej 37 zyrtarë policorë të prekur nga COVID-19, shkruan “Zeri.info”.
Për gjendjen e tyre shëndetësore si dhe operimin e Policisë së Kosovës gjatë përballjes me pandeminë, janë deklaruar nga Policia e Kosovës, të cilët thonë se 37 pjestarët e PK-së e kanë gjendjen stabile me shëndetin.
“Po, aktualisht janë 37 zyrtarë aktivë ( të infektuar) me COVID-19. Gjendja e tyre shëndetësore për momentin është stabile”, janë shprehur nga zyra e informimit e PK-së.
Pasi që numri i të infektuarve në Kosovë është shtuar dukshëm kohëve të fundit në këtë institucion, të pyetur rreth reduktimit të stafit policor gjatë përballjes me COVID-19, ata thonë së pavarësisht situatës dhe rrethanave, janë gjithmonë në realizimin e detyrave dhe përgjegjeësive ndaj qytetarëve dhe vendit.
“Njëkohësisht Policia e Kosovës (PK), referuar situatës në të cilën gjendemi si dhe referuar vendimeve të institucioneve të Kosovës ndaj pandemisë, përfshirë edhe angazhimin e stafit apo burimeve njerëzore mbetet e përkushtuar që varësisht prej situatës, vlerësimeve dhe rrethanave që mund të paraqiten të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore karshi qytetareve dhe vendit, çdoherë duke iu referuar zbatimit të ligjit dhe masave të parapara”, kanë potencuar nga PK-ja.
Gjërsa jemi në muajin e katërt të përballjes me këtë sëmundje, numri aktual i personave të infektuar është 2450. Sipas rezultateve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, gjithsej 1307 persona janë shëruar plotësisht.
Ndërsa me tre personat e vdekur sot nga COVID-19 në Klinikën Infektive, numri i përgjithshëm i vdekjeve nga koronavirusi ka shkuar në 47.