Ismajli: Në qendër nuk po bëhet rrugë për vetura, por po zgjerohet hapësira për qytetarë
Kuvendarët e Gjilanit, në seancën e sotme, nën udhëheqjen e kryesueses Shpresa Kurteshi-Emini, kanë miratuar Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2021-2023, raportin financiar janar-mars 2020, plotësimin-ndryshimin e kushteve urbanistike në një nënzonë të PRRU “Livadhet e Arapit” dhe PRRU “Kodra e Thatë”, vendimin për emërimin e Komisionit për zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në IEAA, raportin e punës të Komisionit komunal të aksionarëve për vitin 2019 në NPL “Stacioni i Autobusëve” si dhe janë informuar rreth vendosjes së stafit të drejtorisë së Kulturës në objektin e bibliotekës së qytetit.
Ndërkaq informata rreth zhvillimit të punimeve në qendër të qytetit dhe në lagjen Dardania u hoq nga rendi i ditës, për shkak se drejtori i Shërbimeve Publike ka qenë i prekur nga koronavirusi dhe nuk ka mundur ta përgatis informatën.
Një informatë e tillë, në formë të shkruar, do t`u përcillet këshilltarëve sapo të jetë gati, ka thënë kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini.
Megjithatë, nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli ka dhënë disa sqarime sa i përket punimeve në qendër të qytetit dhe në lagjen Dardania.
Punimet në qendër, si pjesë e projektit të rrugës me katër krosi nga Livoçi, është bashkëfinancim nga Komuna dhe Ministria e Infrastrukturës. Ishte menduar që projektit t`i bëhet një revidim nga furra Çoçaj, por më vonë, në koordinim me Ministrinë kemi ardhur në përfundim se duhet të bëhet edhe një trase shtesë në qendër të qytetit, pa e prekur gjelbërimin.
Unë besoj se ky projekt nuk e pengon lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe as nuk e ngushton hapësirën për këmbësorë, ndërkohë që do të shikohet mundësia për të vazhduar projektin deri te rruga e Malishevës.
“Nuk po bëhet projekti për vetura, por po bëhet për këmbësorë, gjelbërim dhe po krijohet një hapësirë më e madhe në qendër të qytetit, për me pas mundësi me e mbyllë në rastet kur organizohen aktivitete të ndryshme komunale”, ka thënë Ismajli.
Në Dardani po punohet intensivisht në projektin e trotuareve, për të krijuar qasje për këmbësorë, duke respektuar kërkesat edhe të komunitetit me nevoja të veçanta. Në disa pjesë kemi hasur në infrastrukturë nëntokësore të vjetër dhe që ka nevojë të intervenohet atje ku është e mundur.
“Unë nuk kam deri tani asnjë ankesë nga qytetarët për atë pjesë deri tash”, ka thënë Ismajli.
Sa i përket KAB-it, sqarimet e nevojshme i ka dhënë Ilmi Limani nga Drejtoria për Buxhet dhe Financa, i cili pastaj është përgjigjur edhe në pyetjet e këshilltarëve.
Në debat kanë marrë pjesë Burim Berisha, Nevzad Isufi, Arijeta Rexhepi, Ibish Ibishi, Festa Shabani, Arianit Sadiku, Arta Nuhiu dhe të tjerë.
Ndërkaq për raportin financiar janar-mars 2020, vlerësime, analiza e vërejtje kanë bërë Avdyl Aliu, Krenare Latifi, Burim Berisha, Nevzad Isufi dhe të tjerë, ndërkohë që drejtori Limani ka dhënë përgjigje në të gjitha interesimet.
Për pikën: plotësimi-ndryshimi i kushteve urbanistike në një nënzonë të PRRU “Livadhet e Arapit” dhe PRRU “Kodra e Thatë” sqarime ka dhënë Bekim Bajrami, drejtor i Urbanizimit, i cili ka thënë se kjo është kërkesë e banorëve të zonës për rritje të koeficientit të ndërtimit.
Ne si Komunë jemi të obliguar që të bëjmë plane të realizueshme, ka thënë ai.
Nehat Osmani tha se rregullat e ndërtimit duhet të jenë të unifikuara, ndërsa Isa Agushi tha se kjo pikë nuk duhet të kalojë në Kuvend, sepse është në kundërshtim me ligjin.
Avdyl Aliu tha se LDK dhe partnerët e saj do ta votojnë këtë vendim, për t`iu hapur rrugë investimeve dhe zhvillimit ekonomik, punësimit dhe mirëqenies.
Në këtë pikë kanë kontribuar me diskutime për dhe kundër edhe Ibishi Ibishi, Bujar Nevzati, Shefik Surdulli, Nevzat Isufi, Arta Haziri Nuhiu dhe të tjerë, ndërkaq sqarime shtesë ka dhënë drejtori Bekim Bajrami.
Mjaft interesim ka zgjuar edhe emërimi i komisionit për zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në institucionet arsimore, ku opozita ka shprehur mospajtime me dy propozimet për anëtarë, duke insistuar në zëvendësimin e tyre me emra të tjerë, ndërkaq pozita dhe drejtoria i kanë mbrojtur propozimet, duke thënë se ata i plotësojnë kushtet.
Kryesuesja Shpresa Kurteshi Emini sqaroi se emrat për anëtarë të komisionit i ka sjellë Drejtoria e Arsimit, duke u bazuar në aktet normative dhe udhëzimin administrativ dhe nuk kemi bërë ne si Kuvend.
Drejtori i Arsimit Nazim Gagica ndërkaq dha sqarime shtesë si dhe u përgjigj në dilemat dhe pikëpyetjet që ngriti opozita, duke thënë se këto janë propozimet tona, ndërsa është përgjegjësi e Kuvendit të vendos.
Informatën për zhvendosjen e personelit të Drejtorisë së Kulturës, në objektin e Bibliotekës, e ka dhënë drejtoresha Deniza Limani, e cila ka thënë se kjo po bëhet për t`ia liruar hapësirën teatrit, i cili sivjet është kompletuar me personel.
Opozita e kritikoi këtë zhvendosje, duke e quajtur madje edhe uzurpim, pavarësisht se biblioteka funksionon në kuadër të DKRS-së dhe është pronë komunale.