Në qytetin tonë ku aktiviteti më i madh i të rinjëve është dalja në kafiteri, ku hapësirat publike rrudhen e gjithnjë e më shumë privatizohen, kësaj radhe Kryetari i Komunës ka zgjedhur ta uzurpojë një pjesë të Bibliotekës, duke e shndërruar atë në zyre për rehatimin e një Drejtoreshe të tij, që për ironi udhëheq Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport.
Në kohën kur zhvillimi i teknologjisë ka zënë vendin e librit dhe dukuritë negative tek të rinjët janë gjithnjë e në rritje, në vend se të krijohen kushte për aktivitete kulturore të të rinjëve dhe të stimulohen sa më shumë me hapësira për lexim, Komuna jonë uzurpon edhe të vetmen hapësirë të leximit që kanë qytetarët e Gjilanit: Bibliotekën e qytetit. Bibliotekën të cilën pushtetarët tanë lëre që nuk qenë në gjendje ta ndërtojnë, por pas ndërtimit nga fondacioni i Bashkimit Evropian, po e uzurpojnë.
I bëjmë thirrje Kryetarit të Komunës që sa më parë të lirojë hapësirat e Bibliotekës dhe të hapë atë për lexuesit.
MBYLLET SHKOLLA,
MBYLLET BIBLIOTEKA,
TË FUNDIT “PISA”.