Përmes një bashkëbisedimi në formë elektronike me Asociacionin e Komunave të Kosovës, gjatë ditës së sotme kryeministri Avdullah Hoti ua prezantoi kryetarëve të komunave masat e reja të ndërmarra për menaxhimin dhe parandalimin e pandemisë.
Sipas njoftimit nga Zyra për Informim e Kryeministrisë, masat e reja u përkrahën nga kryetarët e komunave dhe nga ta u shpreh gatishmëri për bashkëpunim që të tejkalohet situata e pandemisë.
Hoti theksoi se masat e reja obligojnë Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet kompetente “që t’i rrisin kapacitetet me shtretër dhe pajisje mjekësore për t’i trajtuar rastet e prekura me COVID 19”.
“Kemi paraparë mobilizimin e stafit shëndetësor në nivel vendi, duke përshirë sipas nevojave edhe ata profesionistë shëndetësorë që nuk janë të angazhuar momentalisht. Në veçanti do të shtohen kapacitetet në shërbimin e mikrobiologjisë, infektologjisë dhe shërbimeve të tjera të lidhura drejtpërdrejt me rastet COVID 19”, tha Hoti.
Kryeministri kërkoi nga kryetarët e komunave që t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm për riaktivizimin e shtabeve emergjente komunale për menaxhimin e pandemisë COVID 19.
Po ashtu kryeministri Hoti theksoi se Qeveria do të sigurojë ndarjen e buxhetit për angazhimin e personelit shëndetësor shtesë dhe për pajisjet mbrojtëse të personelit shëndetësor.
“Nga data 6 korrik 2020, me fillim në orën 21:00 deri në orën 05:00, kemi ndaluar çfarëdo qarkullimi të personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në Prishtinë, Ferizaj, Prizren dhe Vushtrri, përveç në raste urgjente shëndetësore, sepse ekspertët e shëndetësisë këto komuna i kanë vlerësuar si vatrat më të prekura nga COVID-19”, tha Hoti, duke kërkuar bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë në mes të Qendrës së Situatave dhe shtabeve komunale të menaxhimit të pandemisë COVID-19, të cilat duhet të riaktivizohen me kapacitet të plotë.
Hoti theksoi po ashtu se komunat mund të angazhojnë, sipas nevojave të tyre, inspektorë shtesë, të cilët duhet t’i ndërmarrin të gjitha masat e parapara ndaj personave fizikë dhe juridikë, duke përfshirë edhe shqiptimin e gjobave, sipas kompetencave që ua japin ligjet në fuqi.
Ndërsa, sa i përket rifillimit të procesit mësimor në institucionet shkollore në muajin shtator, kryeministri ritheksoi se Qeveria e Kosovës do t’u përmbahet protokollove të OBSH-së dhe me kohë do të dalë me qëndrim për këtë çështje.