Një grua, 80 vjeçare nga Gjakova është viktima e dytë sot nga koronavirusi në Kosovë, shkruan Gazeta Metro.
Pak kohë pasi u bë e ditur për vdekjen e pacientit të 76’të, që doli të jetë nga Podujeva, u njoftua edhe për vdekjen e gruas nga Gjakova, e cila çon në 77 numrin e përgjithshëm të viktimave nga Covid-19 në vendin tonë.
Viktima e fundit, po trajtohej në Qendrën e Mjekësisë Sportive, ndërsa ka ndërruar jetë në orën 8:30
Lajmin e ka konfirmuar Gazmend Spahija, shefi i Njësisë së Qendrës së Mjekësisë Sportive.
Kurse për të ndjerin nga Podujeva, ka bërë të ditur kryetari në detyrë i Komunës, Nexhmi Rudari.
Rudari ka shkruar se viktima është Sheqir Osmani nga fshati Llaushë, Komuna e Podujevës.
“Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të bacës Sheqir Osmani nga fshati Llaushë, i cili ishte i diagnostikuar me Covid-19.
Ngushëllime familjes dhe miqve!
Ekipi i Shtabit Lokal Emergjent, janë në koordinim të plotë me familjen e të ndjerit që gjithçka rreth ceremonisë së varrimit të zhvillohet sipas rregullave të përcaktuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike”, ka shkruar Rudari.
Ndryshe, nga konfirmimi i rasteve të para më 13 mars e deri sot, janë konfirmuar 3 mijë e 508 raste me koronavirus, me gjithsej 77 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.