Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka apeluar te qytetarët që t’i respektojnë masat mbrojtëse dhe të mos imponojnë vendosjen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, raporton Express.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Zemaj ka thënë se s’mund t’i vihet secilit qytetar një polic mbrapa që të disiplinohet.
Mos na impononi vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Nuk jemi qeveri represive, por shtet demokratik. Më dhemb shpirti ta shoh Kosovën e mbyllur”, ka shkruar Zemaj.
Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka njoftuar se kryetarët e komunave i kanë dhënë mbështetje për vendimet e Qeverisë lidhur me menaxhimin e pandemisë.
Hoti ka thënë se me këtë trend të të prekurve me COVID-19, duhet të konsiderojnë shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Hoti ka sqaruar se Gjendja e Jashtëzakonshme nuk nënkupton paralizim të biznesit dhe institucioneve.
“Këshilli i Kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës përkrah masat e reja të Qeverisë së Kosovës, përfshirë gjendjen e jashtëzakonshme, në luftë për parandalimin e përhapjes së COVID 19 për ruajtjen e jetës së qytetarëve. Gjendja e jashtëzakonshme nuk nënkupton paralizim të biznesit dhe institucioneve, por u jep autorizime institucioneve përkatëse të ndërmarrin masa të shpejta dhe fleksibile karshi situatës së krijuar”, ka shkruar Hoti.
Se kryetarët e komunave i kanë dhënë dritën e gjelbër Hotit për masat e reja dhe shpalljen e gjendjes së jashtazakonshme e ka konfirmuar për Express edhe Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.
“Këshilli i kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës përkrah masat e reja të Qeverisë së Kosovës, përfshirë gjendjen e jashtëzakonshme, në luftë për parandalimin e përhapjes së COVID 19 për ruajtjen e jetës së qytetarit”, ka thënë Ibrahimi