Vazhdon gjendja e përkeqësimit me virusin covid 19. Gjendja nuk përmirësohet me fotografi e fjalë, por me veprime konkrete. Gjithnjë e më shumë po bëhemi numra të statistikave. Në kohën e qeverisjes së Kryeministrit Albin Kurti, thoshin se nuk po bëhen teste të mjaftueshme, përkundër faktit që testoheshin edhe personat e kontaktuar nga të infektuarit, ndërsa tash le që kontaktet nuk dihen, por edhe sikur të dihen ata nuk mund të testohen. Mund të testohen vetëm ata që kanë simptoma, madje as kjo nuk është e sigurt, ndërsa asimptomatikëve, deri sa t’u shfaqen simptomat, mund të infektojnë më së paku me dhjetëra e dhjetëra njerëz. Ec e gjej pastaj fillin dhe fundin.
Nuk ka asnjë element që tregon seriozitet në udhëheqjen e mbikëqyrjen e pandemisë. Rekomandimet e dhëna nga IKSHPK duhet t’i vë dikush në zbatim e dikush duhet të bëjë kontroll. Ne vendet publike s’ka respektim të masave, s’ka maska, s’ka distancë?! Lokalet, kafiteritë s’kanë përshtatur hapësirat në bazë të rekomandimeve. Inspeksionet jo funksionale, ose veprimet e tyre po mbesin të pa vërejtshme.
Në lokale publike mbahen ahengje, mbrëmje shoqërore e mbrëmje mature (edhe pse jo me leje zyrtare). Ku janë organet tona që nuk veprojnë? Ku janë masat e rekomanduara? Ku janë mbikëqyrësit? E kujt është përgjegjësia?!
Nëse çdo ditë nga të testuarit, (ndërsa mundësitë por edhe testet janë të kufizuara) më tepër se 50% dalin pozitivë, nënkupton se nëse brenda ditës testohen 500 veta, 250 nga ta dalin pozitivë. Numri i të vdekurve për çdo ditë, po ashtu është në rritje.
Një problem tjetër është vonesa e rezultateve të testeve, të cilat vonohen nga 4 e 5 ditë. Kjo është një element tjetër rëndues i situatës me virusin Covid 19, si në gjithë Republikën ashtu edhe në komunën tonë.
Kur mungon strategjia, kredibileti dhe veprimi i institucioneve përkatëse, gjithçka mbetet në ndërgjegjen, vetëdijen, vullnetin personale e grupor të qytetarëve. E kjo është skajshmërishtë e pamjaftueshme.
Jeta e njerëzve është e pa rikthyeshme, prandaj përkushtimi në ruajtjen e saj, s’do duhej të kishte asnjë alternativë. Këtë e bëri Qeveria Kurti dhe Ministri Arben Vitia. Këtë vetëm smirzinjtë nuk e pranojnë.
E tash, a jemi në dorë të fatit a fatkeqësisë?!