Kryeministri Avdullah Hoti ka folur para deputetëve për menaxhimin e pandemisë coronavirus.
Ai ka përmendur masat e reja anti-covid që ka marrë qeveria, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të mbajnë maskat në çdo vend, si brenda dhe jashtë, pasi sipas tij është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga virusi.
Kryeministri tha se janë duke punuar edhe për parakontratën për të siguruar vaksinën anti-covid në momentin që ajo del në treg.
“Kemi fillu procedurën për pajisje me furnizim me 100 mijë teste virologjike, vaksinë për gripin sezonal. Po punojmë sikur çdo qeveri për mundësinë e realizimit të një para kontrate për mundësinë e porositjes së vaksinës dhe terapisë për COVID”, tha Hoti, shkruan Reporteri.net.
Kryeministri edhe sot nuk e ka përjashtuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
“Nuk do të përjashtohet ndjekja e procedurave për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, do të jemi para jush që të ju njoftojmë për veprimet që do të marrim. Po i përcjellim protokollet sikur çdo vend tjetër”, tha Hoti.
Ai tha se si qeveri kanë ndërmarrë masa që edhe personelit mjekësor t’i sigurohen pajisje më të sigurta që ata të mos infektohen. /Reporteri.net/.