Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj ka bërë të ditur se në këtë klinikë aktualisht janë të shtrirë 96 pacientë ku 60% prej tyre janë në oksigjenoterapi dhe 5 janë në mjekim intensiv ne gjendje kritike.
“Nga raporti i sotëm i mëngjesit kemi 96 pacientë që kanë qenë të shtrirë, 60% e tyre janë me oksigjenoterapi, në mjekim intensiv 5 pacientë qe janë në gjendje kritike. Është shumë shqetësuese ardhja e formave të rënda të sëmundjes, prandaj duhet vazhdimisht të jemi të kujdesshëm, ta ruajmë shëndetin tonë dhe të afërmeve tonë”, tha ajo.
Këtë ajo e tha në konferencën e përbashkët me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj i cili ka prezantuar grupin me 50 profesionistë shëndetësorë të cilët do t’i bashkohen ekipit të QKUK-së në luftimin e pandemisë me Covid-19.
“Bashkërisht me ne sot janë 50 profesionistë, 8 laborantë kanë filluar në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, katër mikrobiologë, 20 inspektorë dje vetëm kanë startuar me ekipet monitoruese dhe zbatuese të ligjit dhe sot gjatë ditës do të shpërndahen edhe 50 mjekë dhe 62 infermierë sipas kërkesave dhe nevojave që janë akoma më rritje. Nuk do të thotë qe do të ndalemi me këtë angazhim, do t’i shikojmë të gjitha potencialet dhe mundësitë buxhetore qe të angazhojë personel shtesë që t’i mbulojmë nevojat çfarë ka shëndetësia në Republikën e Kosovës”, tha Zemaj.
E drejtori i përgjithshëm i SSKUK-së, Valbon Krasniqi bëri të ditur se spitali i Vushtrrisë do të kthehet në spital Covid.
“Spitali i Vushtrrisë do të shndërrohet në spital Covid, do të pranojë pacientë nga Mitrovica e vendet përreth, e qytetarët qe kanë nevojë për shërbime të tjera do të drejtohen ne Spitalin e Mitrovicës”, tha ai.