Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka nënshkruar sot dy udhëzime administrative përmes së cilave krijohet mundësia ligjore për ofrimin e testimit për SARS-Cov-2 edhe në institucionet shëndetësor private, krahas në institucionet shëndetësore publike.
Zemaj ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2020 për plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit Administrativ 09/2014 -Kushtet për punë sa i përket hapësirës, kuadrit profesional dhe pajisjeve medicinale të institucioneve private shëndetësore jashtë spitalore dhe Udhëzimin Administrativ Nr. 02/2020 për plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit Administrativ 06/2015 Kushtet e përgjithshme dhe të veçanta spitalore.
“Udhëzimet përcaktojnë llojin e institucioneve që mund ta ofrojnë këtë lloj të testimit, kushtet që duhet t’i ofrojnë ato, përfshirë hapësirën, pajisjet, llojet e testimeve si dhe raportimi i tyre në baza ditore në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Institucionet të cilat do të licencohen për këto lloj testimesh duhet të raportojnë në IKSHPK për llojin e testimeve të kryera, prodhuesin e testeve, instrumentin/aparatin me të cilin është kryer testi si dhe komentimin profesional të rezultatit të testimit nga specialist”, ka thënë MSH-ja në një njoftim për media.
MSH-ja thekson se duke qenë që me këto udhëzime, përveç testeve molekulare për detektim të acideve nukleinike të SARS–Cov-2 që kryhen në laboratorët mjekësorë të Mikrobiologjisë klinike, lejohen të kryhen edhe Testet serologjike për detektim të antitrupave/antigjeneve kundër/të SARS-COv-2; teste të shpejta që detektojnë antigjenin e SARS-Cov-2 dhe teste të shpejta që detektojnë antitrupat kundër SARS-Cov-2, udhëzimet kanë përcaktuar edhe mënyrën e aplikimit për institucionet të cilat do të kryejnë testime laboratorike për SARS-Cov-2.
Për më tepër, gjeni linqet ku mund t’i gjeni udhëzimet administrative:
https://msh.rks-gov.net/wp-content/uploads/2020/07/Udhezim-Administrativ-01-2020.pdf
https://msh.rks-gov.net/wp-content/uploads/2020/07/Udhezim-Administrativ-02-2020.pdf