170 eurot që janë premtuar nga Qeveria e kaluar për dy muaj për t’iu dal në ndihmë sektorit privat për shkak të pandemisë po dalin të jenë “dardhë me bisht” për kosovarët.
Tash e dy muaj ata po presin pagesën e dytë të Pakos Fiskale Emergjente.
Qeveria “Hoti” që është dashur t’i ekzekutoj këto para në fund të muajit maj ose në fillim të qershorit ende nuk ka arritur që të përfundoj këtë proces.
Ndonëse, deri tani faji iu ishte përveshur deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës për shkak të mosmiratimit të projektligjit nr. 07/L-014 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.
Por ndonëse, më 13 korrik, Kuvendi ka miratuar në lexim të parë këtë projektligj kosovarët ende nuk janë duke mundur të i përfitojnë 170 eurot e premtuara.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, pas miratimit të projektligjit të buxhetit në lexim të parë, ka kërkuar që “projektligji të procedohet sa më shpejt në komisione parlamentare në mënyrë që i njëjti të sillet në Kuvend për votimin përfundimtar”.
Mirëpo, Komisioni për Buxhet dhe Tranfere, ndonëse ka të planifikuara dy mbledhje, të mërkurën dhe të premten, nuk parashihet që të diskutojnë për këtë çështje.
Kryetari i këtij komisioni, Hekuran Muratii ka theksuar se s’ka ndarje të mjeteve as këtë javë.
Ai tha se në javën tjetër pritet të procedohet projektligji nr. 07/L-014 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.
“Jo, sot nuk do të procedohet ky projektligj, besoj që javën tjetër për shkak që duhet kohë më shumë për të shqyrtuar amandamentet”, ka thënë Murati për IndeksOnline.
E, siç duket edhe java tjetër punëtorët e sektorit privat në Kosovë do i kenë sytë nga Kuvendi e mediat për lajmin e shumëpritur.
Kështu i bie që së paku edhe dy javë ata nuk do të marrin ndihmë nga Qeveria “Hoti”, për shkak se pas procedimit të projektligjit në Komision për Financa dhe Transfere duhet që të dërgohet në Kuvend që të votohet përsëri për votimin përfundimtar.