Oda e Afarizmit e Kosovës ka shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit në vend dhe masat e ndërmarra nga Qeveria, siç thotë, pa konsultimin paraprak me bizneset.
OAK-u përmes një reagimi dërguar mediave ka kërkuar nga Qeveria që të hapen urgjentisht çerdhet dhe të hiqet kufizimi që ndalon grumbullimin e më shumë se 5 personave për biznese.
Po ashtu kjo Odë thotë se rënia e të hyrave ka dërguar vendin në katastrofë ekonomike, që sipas tyre kjo është pasojë e zhvillimit të politikave për vendin.
“OAK-u konsideron se deri më tani kemi një dështim total të Qeverisë me mbështetje financiare për biznese, për mbulimin e pagave për punëtorë të sektorëve të mbyllur me vendim të Qeverisë dhe duke u ndaluar edhe dhënia e kredive të rregullta po e bën të pamundur mbijetesën e qytetarëve dhe të bizneseve, gjë që po ndikon drejtpërdrejt edhe te shteti”, thuhet në njoftim.
Më tej OAK-u është shprehur se kërkesat e vazhdueshme të bizneseve kanë hasur, siç thotë, në veshë të shurdhër të institucioneve, duke mos e përkrahur as rishikimin e buxhetit ose ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Kjo Odë kërkon që me urgjencë të hiqen kufizimet.
“Andaj, ne kërkojmë me urgjencë të hiqen këto kufizime dhe para çdo vendimi për mbyllje të biznesit duhet të marrë mbështetje financiare paraprakisht nga Qeveria, biznesi dhe punëtorët e atij sektori. Shteti duhet të ndalojë qasjen diskriminuese në mes të të punësuarve në institucionet publike dhe atyre private, të cilët edhe pse 80% e tyre nuk kanë punuar për shkak të pandemisë, kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin paga të plota, ndërsa të punësuarit në sektorin privat as lëmoshën 170 € për një muaj, nga katër sa kanë kaluar, ende nuk e kanë përfituar të gjithë”, thuhet më tej në reagim.
“Për dijeni të opinionit publik, 80% e të hyrave të shtetit sigurohen nga biznesi dhe punëtorët e këtij sektori. Ashtu siç e garanton edhe Kushtetuta e vendit, shteti duhet të jetë i barabartë më të gjithë”, përfundoi OAK-u.