Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nënshkruar sot marrëveshjen me korporatën gjermane,”Solar Outdoor Media G.M.B.H”, për vendosjen e 200 kontejnerëve të avancuar për mbeturina në pjesë urbane të qytetit, në vlerë prej rreth 400 mijë euro, që është në interes të mbrojtjes së ambientit dhe interes publik.
Pas nënshkrimit të aneks-marrëveshjes, kryetari Haziri ka thënë se kjo ka të bëjë me shtyrjen e afateve kohore të implementimit të marrëveshjes fillestare, për shkak të pandemisë Covid-19, e cila ka bërë që “Solar Outdoor Media Kosovo-L.L.C”, të jetë e ndikuar nga masat e marra në nivel europian për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.
“Kjo situatë ka pamundësuar prodhimin si dhe transportimin me kohë të kontejnerëve, prandaj sipas tij aneks-marrëveshja është për shtyrje të këtij afati”, ka thënë Haziri.
Zbatimi i kësaj marrëveshje sipas planit të dakorduar për vendosjen e tyre do të fillojë në muajin shtator të këtij viti dhe projekti sipas dinamikës zgjas deri në shtator të vitit 2021.
Komuna e Gjilanit mirëpret investitorët e huaj dhe punon vazhdimisht në krijimin e kushteve më të mira për investime duke krijuar kështu ura lidhëse me partnerët dhe donatorët e shumtë nga vende të ndryshme.