Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se kanë marrë një varg vendimesh në tentimin për frenimin e përhapjes së Covid-19.
Ai tha se edhe pse u paralajmërua një valë e dytë e shpërthimit në vjeshtë, ajo po duket se filloi më herët sapo u hoqën kufizimet që ishin në fillim të pandemisë.
“Masat kufizuese e kanë zvogëluar në mënyrë administrative artificiale përhapjen e virusit në fillim siç bënë të gjitha shtetet. Por, sapo filluam të hapim ekonominë filloi të përhapet edhe sëmundja”.
“Unë besoj që në këto 4-5 ditët e fundit numri i të prekurve ka filluar të bie për shkak të masave të marra, por jo në masën që ne dëshirojmë, por unë pres që për një javë apo dy të përgjysmohet ndoshta numri i të prekurve, ndoshta edhe për shkak të rritjes së efektivitetit të masave”.
“Vlerësimet që kemi marrë edhe nga organizatat botërore edhe vendore është shqetësues fakti që 30 për qind e qytetarëve nuk e marrin seriozisht problemin me Covid-19”.
Hoti tha se kanë bërë përgatitje, njëjtë si vendet e BE-së, për blerjen e vaksinës së Covid-19 në rast se zbulohet.
Në tavolinën e debatit me temën “Bashkëjetesa me COVID-19: Tri shtylla të rimëkëmbjes” të organizuar nga Instituti Riinvest, Hoti tregoi për vendimet që po thotë se ulën numrin e të infektuarve në Kosovë.
“Na është dashur të marrim vendime për kufizime sidomos në gastronomi. I kemi centralizuar kapacitet shëndetësore. Kemi bërë riorganizimin e plotë të klinikave duke i kthyer në funksion për pacientët me Covid-19. Kemi krijuar kapacitete shtesë në spitalet regjionale, por edhe spitalet private janë rekomanduar që të vënë në dispozicion kapacitetet e tyre nëse rritet numri i të infektuarve. Kemi angazhuar gjithë personelin mjekësor në shërbim të pacientëve. Ministria e Shëndetësisë është urdhëruar të mobilizojë edhe stafin shëndetësor që s’është fare i punësuar”.