Ky vit shkollor që kaloi nuk ishte i zakonshëm për nxënësit. Ata gjysmë-vjetorin e parë e kaluan në bankat shkollore, por gjysmë-vjetorin e dytë, para pajisjeve teknologjike për të ndjekur procesin mësimor.
E gjithë kjo situatë e shkaktuar nga pandemia e virusit COVID-19 ka vënë në sfidë sistemin arsimor në gjithë botën, por edhe në Kosovë.
Më 12 mars të këtij viti, pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus në Kosovë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kishte vendosur ndërprerjen e mësimit në shkolla, për të vazhduar nga data 23 mars me mësimin online.
Me ndryshimin e mënyrës së mbajtjes së mësimit, ndryshuan edhe metodat e përdorura nga mësimdhënësit, por gjithashtu edhe metodat vlerësuese për nxënësit.
Gjatë këtij procesi virtual mësimor në Kosovë janë shfaqur një sërë problemesh duke filluar nga mungesa e pajisjeve për ndjekjen e mësimit tek nxënësit, mungesa e internetit ose energjisë elektrike dhe të ngjashme.
Ky vit shkollor përfundoi me shpresën se në shtator, nxënësit do t’i kthehen përsëri bankave shkollore por me rritjen e rasteve javëve të fundit – kjo gjë nuk mund të diskutohet si e mundur aktualisht.
Lidhur me këtë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kanë deklaruar se edhe viti i ri shkollor 2020/2021 mund ta gjejë sistemin arsimor të Kosovës me mësim online sipas mënyrës së praktikuar gjatë gjysmë-vjetorit të dytë të vitit shkollor 2019/2020.
Por, sa ishte efektiv mësimi online dhe a do të mundet MASHT-i të organizojë përsëri vitin e ri shkollor në mënyrë virtuale? Cilat ishin mangësitë dhe çfarë duhet të punohet më tepër që nxënësit të mos humbasin gjatë këtij procesi të pazakonshëm mësimor.
Eksperti i arsimit, Rinor Qehaja për lajmi.net thotë se mbetet të shihet javët në vijim rreth shpërndarjes së virusit tek grupmoshat e reja, por thekson se rihapja e shkollave duhet të jetë mirë e menduar dhe të vihet në rend të parë shëndeti i fëmijëve.
Sipas ekspertit Qehaja, institucionet e arsimit duhet të përgatiten për secilin skenar të vazhdimit të mësimit, derisa vlerëson se mësimi nga distanca duhet të jetë subjekt i rishikimit të plot mangësive që kanë qenë të evidentuara gjatë mbajtjes së mësimit online gjysmë-vjetorin që shkoi.
“Rihapja e shkollave duhet të jetë e mirë menduar duke u siguruar në shëndetin e fëmijëve fillimisht. Besoj qe ne javët ne vijim do te kuptojmë me shume rreth sëmundjes dhe shpërndarjes se saj ne nivel vendi dhe mes grup moshave te reja. Është e domosdoshme që para shtatorit institucionet qeveritare të përgatiten për cilindo skenar të vazhdimit të mësimit. Vendimi për vazhdim te mësimit nga distanca duhet të jetë subjekt i rishikimit të plot mangësive nga zbatimi në vitin e kaluar mësimor, kjo, si mundësi për të përmirësuar procesin, në veçanti duke e orientuar atë më shumë në interaktivitet.”, shprehet Qehaja.
Më tutje, ai thotë se mësimi nga distanca nuk mund të zëvendësojë mësimin në shkollë, pasi mos-ekspozimi në kohë ndaj mësimit online ndikon që nxënësit dhe mësimdhënësit nuk janë as të përgatitur e as nuk i kushtojnë rëndësinë e njëjtë.
“Mësimi nga distanca nuk mund të zëvendësoj të mësuarit në shkollë. Mos ekspozimi në kohë ndaj mësimit online, ka sjell në një situate ku nxënësit dhe mësimdhënësit nuk janë të përgatitur për përfshirje në mesmin online dhe janë jo të vetëdijshëm për rëndësinë e të njëjtit.”, shprehet Qehaja më tutje.
Sipas tij, MASH duhet të investojë në vetëdijesimin e nxënësve dhe të ketë parasysh në rend të parë shëndetin e tyre.
“Pandemia vazhdon të jetë një periudhe e ndjeshme dhe shume stresuese edhe për fëmijët, andaj edhe rihapja e shkollave duhet te ketë parasysh edhe këtë, duke u siguruar qe fëmijët ndihen rahat ne rikthim. Distancimi social dhe higjiena do te jete prezent ne cilin do version të fillimit të mësimit, andaj, edhe shpresoj qe MASh të investoj në vetëdije dhe përgatitje për të njëjtat tek fëmijët.”, tha Qehaja.
Mbetet të shihet ditëve në vazhdim se si do të jetë gjendja epidemiologjike në Kosovë dhe çfarë do të vendoset nga MASH-i lidhur me fillimi e vitit të ri shkollor.