Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk ka dialog teknik me Serbinë.
“Ka dialog vetëm për marrëveshje finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, ka shkruar kryeministri Hoti në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
Pas më shumë se 20 muajsh, dialogu Kosovë –Serbi ka rifilluar më 16 korrik në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Dy temat kryesore në këtë takim ishin personat e pagjetur dhe bashkëpunimi ekonomik.
Pas këtij takimi, Brukseli paralajmëroi se dialogu në nivelin teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të rinisë të mërkurën, më 22 korrik.
Rinisja procesit teknik të dialogut në Bruksel, në kohën kur pritej që ky proces të shkonte drejt një marrëveshjeje finale politike, po shoqërohet me kundërshtime në Prishtinë.