Kryeministri Avdullah Hoti pas takimit të thirrur me Forumin e liderëve politikë ka thënë se atij është dhënë mbështetje e plotë për procesin e dialogut nga partitë politike pjesëmarrëse.
Qeveria në një njoftim për media thotë se të gjithë përfaqësuesit e partive politike të vendit të përfaqësuara në këtë forum, i kanë dhënë mbështetje të plotë kryeministrit Hoti dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për procesin e dialogut politik me Serbinë.
Hoti në këtë takim ka njoftuar Forumin e partive lidhur me rifillimin e dialogut me Serbinë javën e kaluar.
“Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti e ka njoftuar sot Forumin e partive politike për ecurinë e deritanishme të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili, siç ritheksoi ai, duhet të përfundojë me normalizim të marrëdhënieve në mes dy vendeve dhe me njohje reciproke. Me këtë rast, kryeministri Hoti shtjelloi ecurinë e deritanishme të procesit të dialogut, duke nisur që nga Samiti i Parisit, mbajtur më 10 korrik 2020 nëpërmjet video-konferencës, në të cilin morën pjesë Presidenti Macron, Kancelarja Merkel, Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme i BE-së Borrel, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Lajçak dhe presidenti serb Vuçiq, video-konferenca e datës 12 korrik 2020, në mes kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë, e udhëhequr nga z. Borrel dhe z. Lajcak, deri te takimi i fundit me presidentin serb në Bruksel, që është mbajtur më datë 16 korrik 2020, po ashtu me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të lartë të BE-së”, thuhet në njoftim.
Tutje, në njoftim thuhet se kryeministri Hoti ka thënë se procesi i dialogut do të jetë transparent dhe kuvendi e opinioni i gjerë do të njoftohet hollësisht për secilin takim.
“Kryeministri Hoti, edhe me këtë rast, ka ritheksuar se i tërë procesi i dialogut do të jetë plotësisht transparent, ndërsa Kuvendi i Kosovës, Forumi i partive politike dhe opinioni i gjerë në vend do të njoftohet hollësisht për secilin takim”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se takimin e Hotit sot e bojkotuan Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK-ja.