Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt ka aprovuar Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike – COVID – 19.
Qëllimi i tij është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Republikës së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Me këtë rast do të plotësohen dhe ndryshohen ligjet si në vijim:
– Ligji për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore;
– Ligji për Fondet Pensionale të Kosovës;
– Ligji për Tatimin në të Ardhurat Personale;
– Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar;
– Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë;
– Ligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave;
– Ligji për Administratën Tatimore dhe Procedurat; dhe
– Ligji për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Ky ligj do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date të gjitha dispozitat e këtij ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.
Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e Projektit Emergjent COVID -19 për Kosovën. Marrëveshja i siguron Republikës së Kosovës një kredi në shumën prej 46 milionë eurove, me normë të ulët interesi dhe me një periudhe të shlyerjes 20- vjeçare dhe një periudhë greis prej 5 vitesh. Kredia do të përdoret për rritjen e kapaciteteve shëndetësore në menaxhimin e pandemisë COVID-19 si dhe në sanimin e pasojave të pandemisë.
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për themelimin e Ekipit Nacional për hartimin e Strategjisë për Specializim të Mençur. Më këtë vendim shfuqizohet vendimi i mëparshëm i datës 07.08.2018 dhe qëllimi i plotësim-ndryshimit të këtij vendimi është që të reflektojë strukturën e re organizative të Qeverisë si dhe duke u mbështetur në përvojat e vendeve tjera që kanë kaluar në këtë proces. Vendimi siguron një gjithëpërfshirje më të madhe të sektorit qeveritar, biznesit, akademisë dhe shoqërisë civile. Ekipi Nacional është përgjegjës për hartimin e Strategjisë për Specializim të Mençur, në përputhje me udhëzimet e Joint Research Centre të Komisionit Evropian.