Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, u ka shprehur ngushëllime familjes së gruas që ka ndërruar jetë dje në Kamenicë, pasi dyshohet se është vrarë nga burri i saj.
Osmani ka deklaruar se kjo kohë pandemie i ka dhënë krahë edhe më tepër dhunës në familje.“Kur pabarazia shndërrohet në normë të pashkruar; kur burrat që e përdorin dhunën ose tentojnë atë jo vetëm që arsyetohen por edhe shpesh vishen me petkun e ‘heroit’ në ‘mbrojtje të moralit dhe nderit’ e çka jo tjetër- në një shoqëri ku merr frymë një mendësi e tillë, pastaj natyrshëm disa e arsyetojnë edhe dhunën ndaj grave”.
“Në rastin në Kamenicë e në shumë raste të tjera, dhuna merr jetë. Kjo kohë pandemie, për fat të keq, i dha krahë edhe më tepër dhunës në familje. Shtëpitë, hapësira ku ne supozohej të ndiheshim më të sigurt gjatë pandemisë, për një numër gjithnjë e në rritje të grave, u shndërruan në hapësirë makthi. Gratë lëre më që nuk janë të sigurta në punë e në rrugë, por shumë prej tyre nuk janë të sigurta as në shtëpi”.“Dhuna nuk arsyetohet, nuk tolerohet dhe duhet të dënohet. Ngushëllime familjarëve të viktimës!”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Facebook.