Mikrobiologu Lul Raka thotë se në Kosovë aktualisht situata me Covid-19 është alarmante. Tha se në tre javët e fundit, numri i rasteve të reja me koronavirus në Kosovë është më e madhja në Europë.
“Me numrat e ditëve të fundit në 100 mijë banorë ne jemi të parët në Europë në tre javët e fundit”, tha Raka për RTK’në.
Në këtë mënyrë ai thotë se situata është e rënduar.
“Situata është shqetësuese dhe alarmante njëkohësisht. Me këtë trend, me këto numra situata është edhe shqetësuese edhe alarmante”, shtoi ai.
“Sot s’kemi kohë për akuza dhe kundër-akuza. S’kemi kohë me sulmi njëri tjetrin. Ne duhet me sulmu armikun e përbashkët e që është virusi, virusi është armik i përbashkët”, tha Raka.
Ai ka përmendur edhe dy faktorët kryesor, që sipas tij, ndikuan në rritjen e numrit të rasteve të reja.
“100 faktorë janë por janë 2 faktorë kryesor. Dy faktorët e rritjes së numrit të rasteve janë mos respektimi i masave të thjeshta parandaluese, maska, distanca dhe higjena personale nga qytetarët dhe mungesa e kontrollit rigoroz nga shteti”, tha Raka.
“Parandalimi është çelës pasi ilaç s’ka dhe vaksinë s’ka. Me këtë trend po shkojmë kah Italia”, tha Raka.