Kampioni i Kosovës në futboll, KF Drita nga Gjilani ka kryer testet për COVID-19 para nisjes drejt Zvicrës ku do të luajë në fazën parakualifikuese të Ligës së Kampionëve.
Lajmi për testimin e gjithë futbollistëve dhe stafit përcjellës të klubit e ka konfirmuar për KlanKosova.tv, drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi.
“Ne sot i kemi kryer testet në Institutin e Gjilanit dhe nesër i presim rezultatet për gjithë ekipin. Gjithsesi, me të arritur në Zvicër do t’i nënshtrohemi prapë testeve para fazës parakualifikuese në Ligën e Kampionëve”, është shprehur Zymberi.
Drita kundërshtarin e parë këtë vit në Evropë do ta ketë kampionin e Andorrës, Inter Escaldes, takim ky që pritet të zhvillohet me 8 gusht në ‘Colovray Stadium’ të Zvicrës.