Përveç jetëve të njerëzve, COVID-19 do të sjellë edhe dëme të tjera afatgjate, kështu ka deklaruar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haxhi Avdyli.
Avdyli nëpërmjet një postimi në profilin e tij “Facebook” ka renditur problemet, të cilat do të shkaktojë virusi Korona. Mes të cilave ka theksuar se do të ketë edhe analfabetë dhe rritje të krimit.
Për të gjitha këto probleme që do të krijohen nga pandemia, siç tha ai, që do të ketë pasoja afatgjate dhe se shteti duhet të mendojë zgjidhjet që sadopak të zbutë pasojat e këtyre fenomeneve shoqërore.
Postimi i plotë i Avdylit:
Përveç humbjeve të mëdha të jetëve të çmuara të bashkëqytetarëve tanë ,COVID-i do të na sjellë dëme afatgjate që do t’i vuajmë si shoqëri me vite:
1. Shkatërrimi ekonomik i mirëqenies familjare;
2. Prodhimi i disa gjeneratave pa edukim bazik shkollor d.m.th. analfabetë;
3. Rritja e krimit, vjedhjeve e veprave delikuente si pasojë e pikave 1 e 2;
4. Trazira e jostabilitet politik që do të vijnë nga përçarjet politike, por edhe nga gjendja e rëndë ekonomike;
5 Gjendje e rënduar psikologjike e popullatës me rritje të dhunës në familje e shoqëri e shtim të vetëvrasjeve;
6. Migrimi i shtuar i pjesës më vitale të shoqërisë;
7. Rritje e sëmundjeve, e vdekjeve nga sëmundjet tjera, për shkak se resurset e sistemit shëndetësor janë orientuar në luftën anti-COVID;
8. Distancimi fizik për mbrojtje nga COVID-i do të krijojë një njerëz asocialë, introvertë, jokomunikativë e paranoikë;
9. Do të kemi gjenerata fëmijësh të rritur në botë virtuale, jo reale, por të padijshëm dhe të keqedukuar, jo të gatshëm për t’u kyçur në tregun e punës e jetën reale.
Janë këto disa e mund të jenë edhe shumë më shumë pasoja afatgjate të pandemisë e që si shtet duhet filluar të mendojmë zgjidhjet që sadopak t’i zbusim pasojat e këtyre fenomeneve shoqërore.