Shefik Surdulli, këshilltar komunal, nga PDK Gjilan /veteran i UÇK-së/
Sëmundja e shekullit si kjo e COVID 19, si i këtillë në krejt botën, dhe çfarëdo tjetër, pavarësisht pasojave, ajo një ditë do të pushojë dhe ne do të fillojmë rimëkëmbjen. Do të jemi këtu!
Pushtetet, pavarësisht personazheve të tij, ato ndërrohen në një moment, ikin, vie tjetri, tjetri… dhe nuk ndalen në jetën e re demokratike. Ne këtu do të jemi!
Por, liria, shteti – pavarësia e Kosovës dhe dinjiteti qytetarë e kombëtar, i larë me gjak e sakrifica të mëdha ndër breza, duhet të jetojnë me çdo çmim, të trajtohen dhe mirëmbahen si të shenjta.
Prandaj na bie hise të gjithëve të bëjmë përpjekje në ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre.
Hyrja dhe marshimi krejtësisht i lirë i forcave serbe të sigurisë, të armatosura ushtrake, në territorin e Republikës së Kosovës, siç qe rasti i djeshëm (jo i vetmi deri tani) në Karaqevë të Dardanës, vie si rezultat i katandisjeve tona pothuajse kudo në poret e jetës politike, institucionale, etj.
S’do mend se ky veprim i Serbisë është provokim i hapur edhe para syve të faktorit ndërkombëtar, i cili sipas marrëveshjeve të njohura ndërkombëtare, ka përgjegjësinë e tij, të mos lejojë një aventurë të tillë të Serbisë.
Megjithkëtë, nëse faktori ndërkombëtar, përgjegjës për hapësirën territoriale të Kosovës, e edhe institucionet relevante të shtetit tonë, nuk ndërmarrin masa për parandalimin e këtyre situatave të rrezikshme – provokuese nga shteti serb, atëherë për eskalimin eventual të situatës atje dhe kudo ku cenohet territori i Kosovës, përgjegjësia do të bie mbi ta e jo ndaj atyre që kurrsesi nuk do të lejojnë poshtërimin deri në pafundësi siç nuk lejuan në kohë e rrethana edhe më të rënda për Kosovën dhe popullin e saj liridashës.
Është momenti i fundit t’i thirrni mendjes ju që në krye të shtetit e në parlament jeni me besimin e popullit dhe jetoni në luks nga taksa e po këtij popullit të skamur, në këtë rast edhe të qytetarëve të alarmuar e të shqetësuar të Karaqevës, të cilët me të drejtë janë në panik nga një skenar ogurzi i agresionit serb.