Është mbajtur të hënën mbledhja e Bordit të Drejtorëve, sipas rregullave kundër përhapjes së pandemisë COVID-19, e cila është udhëhequr nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Në takimin, trepalësh, në të cilin kanë marrë pjesë edhe kryesuesja e Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi-Emini dhe kryeshefi i KRU Hidromorava, Muhamet Suliqi dhe ndërmarrjes lokale Tregu, Avdyl Jerliu, është diskutuar për rishikimin e planit të prokurimit, ku përfshihen projektet zhvillmore sipas kërkesave të KRPP’së, për trajtimin e ujërave të zeza, kolektorët, hyrje-daljet e qytetit, programi për ujin e pijshëm, që janë financim i Bankës Botërore, BERZH’it dhe Bankës Investive Europiane.
Po ashtu, në takimin e së hënës është folur edhe për situatën e përballjes me pandeminë COVID-19.
Kryetari Haziri theksoi nevojën e mbështetjes për Spitalin Regjional dhe Spitalin e Qytetit, me pajisje dhe mjete për parandalim të pandemisë për të mbajtur gjendjen nën kontroll.
Gjithashtu, është kërkuar ngritja e task-forcës për arsim, në mënyrë që të bëhet përgatitja maksimale për përgatitjen e fillimit të mësimit të pjesshëm dhe në distancë, varësisht nga vendimi që do të marrë qeveria e Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, raporti i auditimit të përgjithshëm, është pika e cila do të jetë fokusi kryesor në mbledhjen e radhës, duke i aktivizuar të gjithë mekanizmat për të trajtuar me dinamikë maksimale të gjitha rekomandimet për Gjilanin.