Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se Kosova është shembull për menaxhimin e situatës me koronavirus.
Zemaj tha se numri i vdekjeve nga koronavirusi do të ishte më i madh nëse nuk do të shfrytëzoheshin të gjitha kapacitetet.
“Do të ishte numër më i madh i vdekjeve. Kur kam nisur punën, kam kërkuar që pacientët të trajtohen edhe në Spitalet Rajonale, edhe pse në fillim kishte rezistencë. Kjo është ajo se sa vlerësohet tretmani spitalor. Sepse kur kemi numër të vdekjeve brenda 24 orëve në zona të caktuara, atëherë imponohet nevoja të rishikojmë se cili është përdorimi i respiratorëve, përvoja e mjekëve të rinj, punë ditore kjo që e bëjmë me trupat tonë brenda MSH-së”, tha Zemaj në Kanal10.
Zemaj tha se në kohën kur ai është bërë ministër i Shëndetësisë, numri i shtretërve dhe respiratorëve ka qenë minimal.
“Por, kjo është trashëgimi 20 vjeçare e potencialit. Nëse flasim për numrin e shtretërve dhe respiratorëve kur kam ardhur e kam gjet në aspektin minimal në krahasim me atë që kemi siguruar tani”, tha Zemaj.
Kosova deri tani ka shënuar më shumë se 10 mijë të infektuar dhe mbi 330 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e koronavirusit.