Sqarim lidhur me publikimin në disa media të rrëfimit të një vajze nga Gjilani, e cila ka përshkruar, siç është shprehur “tmerrin” pas vdekjes së babait të saj Xh.L., i konfirmuar me Covid 19 e ku përmendet edhe morgu.
…………………………………….
Unë, Ymer Ibishi, zyrtar i morgut me patologji në Spitalin e Gjilanit, për hir të së vërtetës, dua të sqaroj opinionin publik dhe familjarët e të ndjerit Xh.L., nga Gjilani se ne punojmë konform ligjit dhe urdhrave të eprorëve, andaj dhe konsideroj se punën time, qe 13 vite, e kam kryer me nder e përgjegjësi, gjithmonë duke zbatuar ligjin dhe duke respektuar familjarët e personave të vdekur.
Ne punojmë nga ora 7:00 – 15:00 dhe për këtë periudhë kohore, sipas obligimeve të punës, mbajmë përgjegjësi për rastet e pranuara apo te dorëzuara në morgun e spitalit, kurse pas orës 15:00 deri në 7:00 të mëngjesit të nesërm si dhe ditëve të fundjavës, këtë shërbim, si punë shtesë e kryejnë dy punëtorë tjerë të Spitalit.
Bazuar në këtë fakt, përgjegjësitë për morgun, pas orës 15:00, janë të këtyre dy punëtorëve, që morgun e kanë angazhim shtesë.
Rasti për të cilën bëhet fjalë, është pranuar në morg më 12.08.2020, pas orës 15:00. Me sa kam konstatuar, rasti nuk është protokolluar fare në librin e të vdekurve dhe as nuk dihet kush e ka pranuar.
Personat që punojnë pas orës 15:00 më kanë thënë në telefon se nuk kemi pranuar rast në morg më datën 12.08.2020.
Unë kam pasur një thirrje telefonike kah ora 17:00, ku jam pyetur se a ka person të vdekur në morg dhe unë ju kam thënë familjarëve dhe policëve se në librin e protokollit nuk ka të regjistruar asnjë person në morg.
Në të vërtet, rezultoi se personi i vdekur Xh.L., ishte në morg, por nuk ishte regjistruar. Për këtë rast e kam njoftuar shefin e shërbimit teknik si dhe drejtorin e Administratës të Spitalit.
Duke shprehur keqardhje për këtë që ka ndodhur, pa fajin tim, unë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Leka për humbjen e prindit dhe e lus të madhin Zot që ta ketë marrë nën mëshirën e tij.
Me respekt: Ymer Ibishi, jurist i diplomuar – zyrtar i morgut me patologji në SP – Gjilan.