Është e mundur të mbahet nën kontroll pandemia e coronavirusit në Evropë gjersa funksionon ekonomia dhe sistemi arsimor, vlerëson Organizata Botërore e Shëndetit (WHO).
Duke folur gjatë një konference për shtyp, mjeku Hans Kluge, Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, pohoi se, megjithëse, ekziston rreziku i “ringjalljes” së COVID-19, ne tani dimë se si të veprojmë me virusin, raporton euractiv.
“Me masat themelore në shkallë vendi dhe masat shtesë të synuara – ne jemi në një pozitë shumë më të mirë për ta kontrolluar coronavirusin. Ne mund ta menaxhojmë virusin, por edhe ta mbajmë ekonominë në funksion si dhe sistem arsimimor”, tha ai, duke theksuar se virusi tani mund të menaxhohet më mirë se sa kur u shfaq në fillim.
Kufizimet e fundit kanë treguar se “ne jemi duke u mësuar se si të zbatojmë masa të zgjuara, të kufizuara në kohë dhe të bazuara në rrezik, të afta për të zvogëluar përhapjen e COVID-19 dhe ndikimin në shoqëri dhe ekonominë e gjerë”, shtoi ai.
Sidoqoftë, ai paralajmëroi se Evropa duhet të sigurohet që të miratojë masat e duhura të shëndetit publik në mënyrë që ta ketë nën kontroll coronavirusin ndërsa rifillon jeta normale, duke theksuar në mënyrë të veçantë që sezoni i afërt i gripit do të rrisë presionin mbi shërbimet e kujdesit shëndetësor.
Edhe pse epiqendra e pandemisë tani është në Amerikë, rajone të tjera po shohin gjithashtu një rritje të madhe të rasteve.
Ndryshe, Kontineti i Evropës ka regjistruar 3.9 milionë raste që korrespondojnë me 17 për qind të totalit global që kalon mbi 22 milionë të të infektuar. /Telegrafi/