Sindikata e Arsimit kërkon që të shtyhet për dhjetë ditë viti i ri mësimor, nisjen e të cilit e ka planifikuar ministria e Arsimit dhe e ka miratuar Qeveria.
Nga SBASHK’u thonë se e përkrahin planin e qeverisë për rinisjen e mësimit, por, sipas kësaj sindikate, institucioneve të arsimit u duhet akoma përgatitje.
Pjesëmarrësit e këtij takimi kanë deklaruar vlerësimet lidhur me gjendjen momentale në institucionet arsimore nga këndvështrimi i udhëheqësve sindikal. Ata kanë deklaruar se personeli arsimor dhe tekniko-ndihmës shprehin vullnetin për të nisur mësimin në objektet shkollore duke përkrahur në këtë mënyrë masterplanin e MASH e të miratuar nga Qeveria, por numri më i madh i pjesëmarrësve kanë shprehur shqetësimin se shkollat ende nuk janë përgatitur për të nisur vitin e ri shkollor sipas kushteve të parapara për masat mbrojtëse dhe plani i MASH-it”, thuhet në komunikatën e SBASHK’ut.
Njoftimi i plotë i SBASHK-ut:
Duke shprehur vullnetin dhe dëshirën e sinqertë që viti i ri shkollor të nis së mbari dhe që institucionet arsimore të jenë plotësisht të përgatitura në plotësimin e udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik në përpjekje për ruajtjen e shëndetit të nxënësve dhe personelit arsimor SBASHK-u u drejtohet Qeverisë dhe MASH-it me zërin e punëtorëve arsimor që nisja e vitit të ri shkollor të shtyhet për 10 ditë.
Me qëllim të analizës së përgatitjes për fillimin e vitit të ri shkollor dhe masave që janë marrë nga institucionet për krijimin e sigurisë së mjaftueshme të ruajtjes së shëndetit të nxënësve dhe personelit arsimor, SBASHK-u ka mbajtur takim nga larg me kryesinë, kryetarët e nivelit komunal dhe Universiteteve dhe me anëtarët e Këshillit Drejtues.
Pjesëmarrësit e këtij takimi kanë deklaruar vlerësimet lidhur me gjendjen momentale në institucionet arsimore nga këndvështrimi i udhëheqësve sindikal. Ata kanë deklaruar se personeli arsimor dhe tekniko-ndihmës shprehin vullnetin për të nisur mësimin në objektet shkollore duke përkrahur në këtë mënyrë masterplanin e MASH e të miratuar nga Qeveria, por numri më i madh i pjesëmarrësve kanë shprehur shqetësimin se shkollat ende nuk janë përgatitur për të nisur vitin e ri shkollor sipas kushteve të parapara për masat mbrojtëse dhe plani i MASH-it. Duke argumentuar ata kanë përmendur se pjesa më e madhe e shkollave ende nuk është dezinfektuar, dhomat e mësimit nuk janë pajisur me dezinfektues për duar, nuk janë siguruar maskat mbrojtëse për personelin arsimor, nuk është përgatitur lista e mësimdhënësve rezervë për të zëvendësuar mësimdhënësit e sëmurë e as nuk është shpallur ndonjë thirrje a konkurs për mësimdhënës vullnetar, nuk janë përgatitur dhomat e mësimit për të siguruar distancën e duhur sociale, por nuk janë bërë edhe përgatitje të tjera brenda ambienteve shkollore.
Nga ana tjetër SBASHK-ut kanë nisur t’i vijnë informacione se ka tendenca nga ndonjë DKA dhe ndonjë drejtor shkolle që mjetet higjienike dhe dezinfektuesit t’i sigurojnë përmes prindërve, qoftë duke mbledhur para nga prindërit, qoftë duke sjellë prindërit dezinfektues në shkollë. SBASHK-u ëhstë kundër iniciativave të tilla sepse në këtë situatë të rënduar sociale e ekonomike nuk është e drejtë të ngarkohen edhe më shumë apo të vihen një pjesë e tyre në pozitë të keqe para të tjerëve ngase nuk kanë mundësi të jenë pjesë e këtij aktiviteti, të cilin SBASHK-u kërkon të ndalet dhe kërkesat e shkollave në rrethanat e reja të sigurohen nga buxheti shtesë prej 9.5 milionë, që ka ndarë Qeveria e Kosovës.