Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, do ta nisë si vendase mbrojtjen e titullit, me ndeshjen derbi kundër Llapit.
Shorti për edicionin 2020/2021 të Superligës në futboll është tërhequr të enjten në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Bashkë me Dritën, opinionistë të futbollit, kandidatë për të fituar titullin në elitën e futbollit kosovar e shohin edhe nënkampionin Gjilanin, pastaj Ballkanin dhe Feronikelin, por jo edhe Prishtinën, shkruan KOHA.
Kjo për shkak të përforcimeve që i kanë bërë skuadrat gjatë këtij afati kalimtar.
Gjilani ndeshjen e parë do ta luajë në udhëtim kundër Feronikelit, derisa fituesja e Kupës, Prishtina, do ta presë në stadiumin “Fadil Vokrri” skuadrën e Drenicës.
Edicioni i ri i Superligës do të zhvillohet me dhjetë skuadra. Do të luhen 36 xhiro, me sistem të katërfishtë.
“Formati i ri garave natyrisht që është më i mirë në të gjitha aspektet dhe sigurisht ka ardhur pas analizave nga njerëz kompetentë të futbollit. Ndoshta në vitin e parë mund të mos i jep frytet e dëshirueshme të konkurrencës për shkak që, sipas të gjitha gjasave, do të luhet pa shikues, sidomos fillimi i edicionit. Por, me sa e kemi përcjellë tregun e transferimeve, favoritët janë kryesisht të njëjtit, Drita, Gjilani dhe Ballkani. Janë këto tri skuadra që do ta thonë fjalën e tyre, por mos të harrojmë që është edhe Feronikeli që e dëshiron Evropën. Katërshes nuk mund t’i bashkohet Prishtina, të cilës i janë larguar disa futbollistë mjaft cilësorë”, ka thënë trajneri i futbollit, Ardian Llumnica.
Në xhiron e parë Ballkani do të luajë në Pejë kundër Besës së rikthyer në elitë, derisa Trepça ’89 do ta presë skuadrën e promovuar në Superligë, Arbërinë.
Në fakt, Drita u ka besuar lojtarëve që e kanë shpallur kampione, derisa ka bërë edhe disa përforcime. Përforcime ka bërë edhe kundërshtari i parë i saj, Llapi.