Sot është mbajtur Takimi i Forumit të Donatorëve për Rimëkëmbje Ekonomike. Takimi është zhvilluar ndërmjet ministres së Financave Hykmete Bajrami, kryeminsitrit Avdullah Hoti, ndërsa nga përfaqësues jo vendorë ishin ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Riccardo Serri, si dhe përfaqësuesit e vendeve donatore në Kosovë, të agjencive zhvillimore dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.
Takimi kishte për qëllim diskutimin për qasjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe donatorëve për të financuar rimëkëmbjen ekonomike të vendit, të nevojshme pas pandemisë së COVID-19.
Hoti në llogarinë e tij në “Facebook” thotë se ka shpalosur vizionin afatgjatë të Qeverisë së Kosovës për rimëkëmbjen ekonomike dhe për përfshirjen e donatorëve në financimin e prioriteteve të vendit.
“Ndihma e menjëhershme e mobilizuar nga donatorët nëpërmjet projekteve, përkrahjes së buxhetit të vendit dhe huave për investime, me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike gjatë vitit 2020 dhe e planifikuar për vitin e ardhshëm, arrin mbi 400 milionë euro”, ka shkruar ai.
Sipas tij Qeveria e Kosovës do të hartojë Strategjinë Kombëtare për Zhvillim për 10 vjetët e ardhshme, e cila do të jetë orientuese për reformat dhe objektivat afatgjate të vendit për zhvillim të qëndrueshëm, në përputhje me aspiratat për integrim evropian të vendit.
Ndërsa për të mundësuar rimëkëmbjen ekonomike, Hoti premton se do të hartohet një plan më i detajuar i investimeve më të rëndësishme për 5 vjetët e ardhshëm, i cili do të financohet nga buxheti i vendit, donatorët dhe në bashkëpunim me sektorin privat.